Këshilli Prokurorial e Zyra e Kryeprokurorit dënojnë ashpër deklaratat e deputetit Muja kundër kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) kanë reaguar ndaj deklaratave të deputetit të Vetëvendosjes, Armend Muja, i cili sot, më 22.10.2024, ka akuzuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, se është ndikuar në hetime.

Përmes një postimi në Facebook, Muja ka thënë se biznesmeni i Shqipërisë, Saimir Mane “ka bërë ligje edhe në Kosovë në kohën e Qeverisë Hoti”.

“Me propozim të Grupit Parlamentar të AAK-së, në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike ishte shtu një amandament për një nen që parashihte lirim të energjisë elektrike për Ferronikelin, i cili atë kohë ishte në pronësi të Saimir Manes dhe të pezullohen pagesat e rentës minerare. Komisioni i Minierave (KPMM) nuk e kishte ngarkuar asnjëherë Ferronikelin me rentë minerare siç parashihte ligji” – ka shkruar ai.

Deputeti ka përfunduar postimin e tij duke pyetur se “a e ka hetuar ndonjëherë Prokuroria këtë pazar, apo ndoshta Dauti nuk i ka thënë Blerim Isufajt me e hetu këtë rast”.

Këshilli Prokurorial e Zyra e Kryeprokurorit kanë dënuar ashpër këto deklarata, duke thënë se ato kanë synim që të dëmtojnë rastet hetimore dhe se janë ndërhyrje e qëllimshme për të zhvendosur vëmendjen nga zbatimi i përditshëm i ligjit që bën Kryeprokurori Isufaj.

“Deklaratat e sotme të deputetit Muja kanë përmbajtje të pastër politike dhe vijnë e renditen në sinkron me deklaratat e Qeverisë dhe nga radhët e deputetëve të subjektit shumicë në Kuvendin e Kosovës, që, faktikisht, duhet të jenë gardianë të së drejtës dhe sundimit të ligjit në vendin tonë dhe jo të ndërhyjnë orë e çast, duke mos zgjedhur mjete dhe metoda për të njollosur dhe sulmuar prokurorë, kryeprokurorë dhe prokuroritë e vendit” – thuhet në reagimin.

Këto dy institucione, më tej kanë thënë se përkrahin fuqishëm Isufajn dhe secilin prokuror që punon në ndjekjen e kryesve të veprave penale.

Deklarata e Mujës lidhet me hetimet rreth kryetarit të Partisë së Lirisë në Shqipëri, ish-presidentit Ilir Meta dhe të bashkëshortes së tij, deputetes Monika Kryemadhi.

Sipas SPAK-ut, Kryemadhi, me porosi të këtij biznesmeni, ka ndryshuar një ligj në Kuvendin e Shqipërisë.