Këshilli Prokurorial dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dënojnë sulmin ndaj prokurorit Ramiz Buzhala

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë dënuar sulmin ndaj prokurorit Ramiz Buzhala.

Sipas reagimit, i cili është bërë më 20.02.2025, KPK dhe ZKPSH kanë dënuar sulmin fizik ndaj Prokurorit të Departamentit të Përgjithshëm në Pejë.

Në reagim thuhet se sulmi është bërë për shkak të punës që e kryen Prokurori. Këto akte, sipas tyre, janë të patolerueshme dhe qëndrojnë fuqishëm pranë prokurorit Buzhala.

“Prishtinë, më 20 shkurt 2025 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) dënojnë ashpër sulmin e sotëm fizik ndaj Prokurorit të Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore – Pejë, z. Ramiz Buzhala – sulm ky i cili ndërlidhet me punën e tij zyrtare. KPK-ja dhe ZKPSH-ja theksojnë se aktet e tilla ndaj Prokurorëve janë të patolerueshme dhe qëndrojnë fuqishëm pranë prokurorit Buzhala, duke e mbështetur në punën e tij të përditshme dhe duke e inkurajuar për përmbushjen e misionit të tij ligjor.” – thuhet në reagimin e KPK-së dhe ZKPSH-së.

KPK dhe ZKPSH thotë se sulmi i bërë ndaj prokurorit Buzhala nuk do ta zmbrapsë ndjekjen e kryerësve të veprës penale dhe i njëjti do të vazhdojë punën e tij, siç e obligon Kushtetuta dhe Ligjet e Republikës së Kosovës.

Sipas reagimit thuhet se të dyshuarit për sulmin ndaj Prokurorit janë ndaluar për 48 orë, ku pritet të ndërmerren hapat e mëtejshëm.

“Gjithashtu, KPK dhe ZKPSH, me këtë rast, nënvizojnë se, aktet e tilla nuk mund të ndikojnë që prokurori Buzhala të zmbrapset nga ndjekja e kryerësve të veprave penale dhe do të vazhdojë punën e tij, për të cilën e obligojnë Kushtetuta dhe Ligjet e Republikës së Kosovës. Këto dy institucione të Sistemit prokurorial sigurojnë opinionin publik se sulmi ndaj prokurorit Ramiz Buzhala është duke u trajtuar me prioritet nga organet kompetente dhe ndaj sulmuesit është marrë vendim për ndalimin e tij për 48 orë, si dhe janë duke u ndërmarrë hapat e mëtutjeshëm ligjorë.” – thuhet në reagimin e KPK-së dhe ZKPSH-së.