Këshilli Prokurorial dhe Zyra e Kryeprokurorit i referohen Albin Kurtit Kryeministër në detyrë; i reagojnë për deklarimin e tij për Prokurorinë

Këshilli Prokurorial dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë dalë me një reagim lidhur me mosparaqitjen e kryeministrit të vendit, Albin Kurtit për të dëshmuar lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Reagimi i KPK-së dhe ZKPSH-së thotë mes të tjerash se zbatimi i ligjit nuk mund të keqinterpretohet sipas shijeve, interesave dhe nevojave ditore të – siç e kanë quajtur ata Albin Kurtin – Kryeministër në detyrë.

“Me rastin e deklaratave të sotme publike të dhëna nga kryeministri Albin Kurti, për mosparaqitjen e tij në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshmi në cilësinë e dëshmitarit, përkitazi me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore, edhe pse Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar Urdhër për paraqitjen e tij në Prokurori, Këshilli Prokurorial dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit rikujtojnë se zbatimi i ligjit nuk mund të keqinterpretohet sipas shijeve, interesave dhe nevojave ditore të Kryeministrit në detyrë – duke dhënë deklarata jashtë parimeve bazë të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.” – thuhet në reagimin e KPK-së dhe ZKPSH-së.

Tutje, në reagim thuhet se këto deklarime të Kryeministrit janë vetëm pikëpamje dhe botëkuptime personale, që ka ai për sundimin e ligjit. Sipas tyre veprimet për zbatimin e ligjit janë detyrim.

“KPK dhe ZKPSH potencojnë se deklaratat e dhëna në vazhdimësi nga kryeministri Kurti e dëmtojnë seriozisht funksionimin e institucioneve demokratike dhe kanë për qëllim minimin e angazhimit të Prokurorit të Shtetit, në përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.” – kanë thënë KPK dhe ZKPSH.

Tutje, në reagimin e KPK-së thuhet mbështesin fuqishëm Prokurorinë Speciale në realizimin e detyrave të tyre, siç janë: hetimi, ndjekja dhe ndriçimi i secilit rast penal.

“Pa marrë parasysh përpjekjet për degradimin e organeve kushtetuese nga ana e kryeministrit Kurti, KPK dhe Prokurori i Shtetit inkurajojnë dhe mbështesin fuqishëm Prokurorinë Speciale për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore të saj, siç janë: hetimi, ndjekja dhe ndriçimi i secilit rast penal, që bie në kompetencë të saj, me qëllim të ngritjes së moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit në vendin tonë.” – thotë në fund reagimi.

Sot, më 04.03.2025, sipas Vendimit të Gjykatës Themelore ishte paraparë që Kryeministri i vendit të paraqitej në objektin e Prokurorisë Speciale, për të dëshmuar lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Por, kryeministri Kurti u paraqit në Gjilan për të hedhur gurthemelin për ndërtimin e një Çerdheje në Gjilan.

“Unë asnjëherë nuk kam thënë që nuk do të jap dëshmi, apo refuzoj të jap dëshmi. Përkundrazi, kam thënë që jam i gatshëm dhe i interesuar që të dëshmojë. Në anën tjetër, kam shkruar edhe letrën në të cilën kam treguar oraret, kur mund të bëhet dëshmia. Shtrohet pyetja pse i humb Prokuroria tre muaj? Për bindjen time të fuqishme, sepse është më shumë e interesuar që të mbushë ballinat e ndonjë portali të oligarkut, sesa të sjellë drejtësi. Kurrë Prokuroria nuk ka qenë më e lirë. Lirinë po e përdor e keqpërdor për të luftuar Qeverinë, e jo krimin e korrupsionin. Gjithmonë kam qenë i gatshëm të dëshmoj.” – kishte thënë Kurti, në Gjilan.

Menjëherë pas këtij reagimi të KPK-së dhe ZPKSH-së ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu – duke thënë se Albin Kurti nuk është Kryeministër në detyrë, por Kryeministër.