Këshilli Prokurorial aprovon kërkesën e BE-së për qasje në dokumentet vlerësuese të kandidatëve për kryeprokurorë të prokurorive
Me dhjetë vota për nga anëtarët e Këshillit Prokurorial dhe vetëm një votë abstenim nga Armend Zenelaj, është aprovuar kërkesa e Bashkimit Europian që të ketë në shikim të plotë dosjet e vlerësimit të kandidatëve për kryeprokurorë të Prokurorive.
Shpallja e konkursit ishte bërë për Prokurorinë e Apelit dhe për prokuroritë themelore të Ferizajt, Gjilanit, Pejës, Prizrenit dhe Mitrovicës në mbledhjen e 255-të.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial në mbledhjen e 257 të KPK-së, njoftoi se në një takim në zyrën e BE-së, ndërkombëtarët kanë kërkuar që të kenë qasje në procesin e vlerësimit të kandidatëve për kryeprokurorë.
U.d. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi kërkoi nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial që të lexohet shkresa e cila ishte dërguar nga Ambasadori i BE-së.
Ardian Hajdaraj tha se në letrën e dërguar nga ambasadori thuhet se është shpërfillur propozimi i BE-së që të ketë një rregullore që do të kishte siguruar një përzgjedhje më transparente.
Anëtari i Këshillit Prokurorial, Besim Kelmendi tha se është i pajtimit që në përputhje me ligjin të ju jepet qasja pasi në ligj janë dy mënyra të qasjes kur palët lejohen në qasje duke shikuar dokumentet dhe kur palët e interesuara mund të kërkojnë qasje fizike.
Sipas Kelmendit është e mjaftueshme që secilës palë t`i lejohet qasja duke i shikuar të gjitha dokumentet të cilat ata janë të interesuar t`i shohin për të parë edhe procesin e rekrutimit “…dhe besoj që do të jetë e mjaftueshme që të ketë qasje për t`i shikuar dokumentet që i shohin të nevojshme për të bërë edhe raportin e tyre për monitorimin e procesit”.
Anëtari tjetër i Këshillit Prokurorial, Arian Gashi tha se janë takuar me zyrtarët e BE-së dhe anëtarët e Ambasadës Amerikane pikërisht për këtë temë. Gashi tha se janë zotuar që t`i japin qasje e tillë si e kanë kërkuar ndërkombëtarët dhe shoqëria civile por kjo natyrisht që do të bëhet në dakordancë me ligjin.
Ndërsa anëtari tjetër i Këshillit Prokurorial, Visar Krasniqi tha se nuk ka asnjë pengesë që kërkesa e BE-së të adresohet edhe në rregullore.
“Tashmë nuk është përfshirë, tashmë është fakt i njohur që as nuk ekziston ky kufizim as nuk e lejon e as nuk ndalon, mirëpo në referim të dy ligjeve, ligji për dokumente publike duhet me pas parasysh që nuk ekziston baza që e kufizon qasjen mbi bazën e kësaj nuk ka kufizim që t`i lejohet qasja”.
“Për me u konsideru një dokument konfidencial duhet me u klasifiku si konfidencial, derisa nuk e kemi klasifiku këtë dokument dhe nuk i konsideromë si konfidencial nuk ka asnjë argument qe na me ndalu këtë qasje”, tha Kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdari.
Me 11 vota për dhe një abstenim është aprovuar kërkesa e zyrës së Bashkimit Europian që të lejohet monitorimi i konkursit për zgjedhjen e kryeprokurorëve të prokurorive të vendit.
Ardian Hajdari në fund tha se nuk do të ketë asnjë kufizim në qasjen e monitorimit të këtij procesi, pra dokumentacionet do të ju jepen në shikim palëve të interesuara për këtë proces.
Këshilli Prokurorial në takimin e 255 kishte bërë shpalljen e konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të prokurorive Themelore dhe për Prokurorinë e Apelit.
Mbledhja e 255 kishte përzgjedhur panelet vlerësues të cilët do të bëjnë vlerësimin e kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorëve të këtyre prokurorive.
Shpallja e konkursit ishte bërë për Prokurorinë e Apelit dhe për prokuroritë themelore të Ferizajt, Gjilanit, Pejës, Prizrenit dhe Mitrovicës.