Këshilli në Itali vërshohet nga uji menjëherë pas refuzimit të masave ndaj ndryshimit klimatik

Këshilli regjional i Venetos, me lokacion në kanalin e madh të Venecias, është vërshuar nga uji për herë të parë në histori të martën mbrëma, pak pas hedhjes poshtë të masave për betejën ndaj ndryshimeve klimatike.

Qyteti historik i Italisë gjatë kësaj jave ka rënë në gjunjë nga përmbytjet më të mëdha në më shumë se 50 vite, raporton CNN.

Dhoma e këshillit në pallatin Ferro Fini filloi të mbushet me ujë rreth orës 10 pasdite teksa këshilltarët po debatonin buxhetin rajonal të 2020-ës, tha këshilltari i partisë demokratike Andrea Zanoni në një postim të gjatë në Facebook.

“Ironikisht, dhoma ishte mbushur me ujë vetëm dy minuta pasi shumica e ekipit, partitë Vëllezërit e Italisë dhe Forza Italia refuzuan amendamentet tona për trajtimin e ndryshimit klimatik”, ishte shprehur Zanoni, i cili është deputet dhe anëtar i komitetit për ambient në postimin ku kishte bashkangjitur edhe fotografi të dhomës nën ujë.

Në mesin e amendamenteve të refuzuara ishin edhe masat për fondet e energjisë së ripërtëritshme, zëvendësimi i autobusëve diesel me “lloje më efecientë dhe më pak të ndotshëm”, ndaljen e furrave dhe uljen e ndikimit të plastikës, tha ai.

Zanoni akuzoi presidentin regjional të Venetos, Luca Zaia, i cili është anëtar i partisë së djathtë të Matteo Salvinit, për prezantim të buxhetit “pa veprim konkret për luftimin e ndryshimit klimatik”.

Zëdhënësi i këshillit rajonal Alessandro Ovizach konfirmoi për CNN që këshilli ishte mbushur me ujë pas diskutimit të amendamenteve për buxhetin e 2020-ës- pa specifikuar se për cilat.

Presidenti i këshillit, Roberto Ciambetti, refuzoi akuzat e Zanonit  në një deklaratë për CNN.

“Përtej propagandës dhe leximit mashtrues, ne jemi duke votuar për një buxhet rajonal që shpenzoi 965 milionë euro gjatë tre viteve të fundit në luftimin kundër ajrit të ndotur dhe smogut, që është një ndër faktorët determinues në ndryshimin klimatik”, tha ai.

“Të thuash që nuk kemi bërë asgjë, është gënjeshtër,” tha Ciambetti.

“Ne jemi rajon i cili pas përmbytjeve të vitit 2010-tës kemi hartuar një plan për mbikëqyrjen e sigurisë hidrometeorologjike me një çmim total 2.6 miliardë euro, një shumë e tepruar për financa rajonale”.

Më herët, Ciambetti, i cili postoi video të ujit në pallat në faqen e tij në Facebook, tha në një deklaratë për gazetën lokale Gionale di Vicenza:

“Një situatë e tillë nuk ka ndodhur kurrë këtu, ngrohësit e testuar për përmbytje nuk ishin mjaftë të qëndrueshëm për të mbajtur valën e ujit, as nuk ishte e mundur të dilnim nga ndërtesa, preferohej të garantohej siguria  dhe të qëndronim të gjithë brenda në pallat”.

Takimet e këshillave regjional të enjten dhe të premten janë lëvizur në Treviso për shkak të përmbytjeve, sipas website-it të këshillit.

 

Përgatiti- Ardita Zeqiri