Foto: Ilustrim

Këshilli Ndërministror për Ujëra, reagon ndaj raporitit të KOSID: Shkeljet ligjore, që po shterin lumenj

Këshilli Ndërministror për Ujëra , ka reaguar rreth publikimit të raportit për hidrocentrale në Kosovë të publikuar nga KOSID me titull: “Shkeljet ligjore, që po shterin lumenj”.

Në reagimin e këtij këshilli theksohet se raporti i publikuar nga KOSID nxjerr në pah shumë parregullsi gjatë lejimit të ndërtimit dhe dhënies së lejeve për Hidrocentralet nga institucionet kompetente. Por në reagim theksohet se raporti i publikuar nga KOSID ka edhe lëshime dhe pasaktësi.

“Raporti “Shkeljet Ligjore që po Shterin Lumenj”, i publikuar më 1 dhjetor 2020 nga KOSID është padyshim një kontribut për identifikimin dhe zbardhjen e parregullsive të shumta me të cilat është zhvilluar procesi i lejimit dhe ndërtimit të HEC-eve. Megjithatë, përkundër synimeve të mira që mund t`i këtë pasur hartuesi, në raport ka disa lëshime  teknike dhe përmbajtjesore si dhe pasaktësi të cilat e cenojnë kredibilitetin e raportit”.

Tutje në reagimin e Këshillit thuhet se: “Një prej gjetjeve kryesore të raportit është se “keqtrajtimin(!) dhe keqpërdorimin e resurseve ujore e ka mundësuar dhe përkeqësuar procesi i dhënies së lejeve ujore për operatorët ekonomik bazuar në Vendimin e Këshillit Ndër-ministror për Ujëra për lëshimin e lejeve ujore për ndërtimin e HEC-eve .” Ky konstatim është i pasaktë dhe dezinformues. Kjo sepse, ky vendim i Këshillit jo që nuk e ka ‘mundësuar dhe përkeqësuar’ procesin e dhënies së lejeve për shfrytëzimin e ujit për HEC-e, po përkundrazi përkohësisht e kishte ndaluar atë. Në fakt, të gjitha lejet ujore për HEC-e janë lëshuar nga Ministria e Mjedisit gjatë viteve 2012-2017”.

 

Reagimi i plotë i Këshilli Ndërministror për Ujëra:

Reagim

Raporti i KOSID: Shkeljet Ligjore që po Shterin Lumenj

Raporti Shkeljet Ligjore që po Shterin Lumenj i publikuar më 1 dhjetor 2020 nga KOSID është padyshim një kontribut për identifikimin dhe zbardhjen e parregullsive të shumta me të cilat është zhvilluar procesi i lejimit dhe ndërtimit të HEC-eve. Megjithatë, përkundër synimeve të mira që mund t`i këtë pasur hartuesi, në raport ka disa lëshime[1] teknike dhe përmbajtësore si dhe pasaktësi të cilat e cenojnë kredibilitetin e raportit.

Kështu, një prej gjetjeve kryesore të raportit është se “keqtrajtimin(!) dhe keqpërdorimin e resurseve ujore e ka mundësuar dhe përkeqësuar procesi i dhënies së lejeve ujore për operatorët ekonomik bazuar në Vendimin e Këshillit Ndër-ministror për Ujëra për lëshimin e lejeve ujore për ndërtimin e HEC-eve[2].” Ky konstatim është i pasaktë dhe dezinformues. Kjo sepse, ky vendim i Këshillit jo që nuk e ka ‘mundësuar dhe përkeqësuar’ procesin e dhënies së lejeve për shfrytëzimin e ujit për HEC-e, po përkundrazi përkohësisht e kishte ndaluar atë. Në fakt, të gjitha lejet ujore për HEC-e janë lëshuar nga Ministria e Mjedisit gjatë viteve 2012-2017, pra para se të merrej ky vendim i Këshillit Ndërministror për Ujëra (KNMU) në janar të vitit 2018, p.sh. Kelkos-it i është lëshuar leja ujore për HEC-et në kaskadën e Deçanit në vitin 2012, Eurokos-it në vitin 2013, Hydro Line në vitin 2013, Matkos-it për HEC-et në Lepenc në vitin 2014, Eko-Energji  në vitin 2015, e kështu me radhë. Pikërisht pas këtij vendimi të Këshillit Ndërministror për Ujëra, Ministria e Mjedisit e ka pezulluar dhënien e lejeve ujore për HEC-e por fatkeqësisht, ky pezullim është ndërprerë pas një kohe nga ish Ministri Matoshi. Këtij vendimi të KNMU i ka paraprirë një raport[3] i iniciuar nga dhe i miratuar në KNMU, në të cilin raport për herë të parë është trajtuar problematika e zbatimit të koncesioneve si instrument i dhënies së të drejtës për shfrytëzim të ujit për qëllime afariste. Në këtë raport për koncesione, i hartuar nga përfaqësuesit e të gjitha institucioneve relevante, është konfirmuar për herë të parë se dhënia e lejeve ujore për HEC-e është në kundërshtim me Ligjin për Ujëra dhe në kundërshtim me praktikat që zbatohen ndërkombëtarisht. Pra, është pikërisht KNMU i cili së pari e ka konstatuar se dhënia e të drejtës ujore për qëllime afariste përmes lejes ujore është në kundërshtim me ligjin, dhe rrjedhimisht me këtë vendim është kërkuar që të mbulohet zbrazëtira ligjore e cila do të mundësonte dhënien e koncesioneve për shfrytëzim të ujit për qëllime afariste, dhe njëkohësisht që për dhënien e të drejtës ujore të merren parasysh dokumentet planifikuese për menaxhimin e resurseve ujore, si Baza e Hidroekonomisë së Kosovës e vitit 1983. Referenca në këtë dokument është bërë për dy arsye: (i) ky ishte (dhe mbetet) dokumenti i vetëm gjithëpërfshirës planifikues (masterplan) për menaxhimin e resurseve ujore në Kosovë sepse, fatkeqësisht, ende nuk janë hartuar planet e menaxhimit të pellgjeve lumore të cilat do ta zëvendësonin këtë plan[4], dhe (ii) dhënia e lejeve ujore për ndërtimin e HEC-eve pa kurrfarë kriteri dhe harmonizimi me dokumentet planifikuese po rrezikonte ndërtimin e objekteve strategjike hidroteknike të planifikuara me Bazën e Hidroekonomisë, dhe të konfirmuara me Strategjinë e Ujërave 2017-2036, siç është rasti me HEC-et në lumin Lepenc që ndërtoheshin, dhe ende po ndërtohen, në zonën e planifikuar të hidrosistemit Lepenc, apo HEC-et e ndërtuara në Grykën e Deçanit  të cilat e pamundësojnë projektin e planifikuar të akumulacionit të Sllupit. Ky vendim i KNMU pra ka pasur dy synime kryesore: (i) të mundësojë zbatimin e koncesioneve për shfrytëzimin e ujit për qëllime afariste, ashtu siç kërkohet me ligj, dhe (ii) ta pamundësojë dhënien e së të drejtës për shfrytëzim të ujit për qëllime afariste përmes lejeve ujore (para së gjithash për HEC-e) duke kërkuar harmonizimin me Masterplanin për Ujëra (Bazën Hidroekonomike të vitit 1983). Kundërshtimi i hapur (i regjistruar pranë Sekretariatit të Këshillit) që i ishte bërë këtij vendimi nga Ministria e Mjedisit sa i përket referencës në Masterplanin e vitit 1983 mund të kuptohet si qëllim për të vazhduar me praktikën e dhënies së lejeve ujore për HEC-e, praktikë kjo që ishte ‘etabluar mirë’ që nga viti 2012. Kur krejt këto të merren parasysh, nuk ka si të pohohet si i saktë konstatimi i raportit se vendimi i KNMU e ka mundësuar dhe përkeqësuar procesin e dhënies së lejeve për operatorët ekonomik.’

Një konstatim tjetër i konfuz dhe i pasaktë i raportit të KOSID është se “ndarja e këtyre koncesioneve duhet të bëhet sipas Ligjit Nr. 04/L-045 për Partneritet Publiko Privat, të cilat kanë për qëllim ofrimin e shërbimeve publike dhe/ose infrastrukturës publike në të gjithë̈ sektorët ekonomikë dhe shoqërorë̈, përfshirë prodhimin, distribuimin, trajtimin, mbledhjen dhe administrimin e ujit, ujërave të zeza, drenazhës, ujitjes dhe kanaleve.”[5] Në fakt, Ligji për Partneritetin Publiko Privat është i pazbatueshëm për dhënien e të drejtës ujore për HEC-e meqenëse ky ligj (i) nuk e rregullon dhënien me koncesion të pasurive natyrore[6], dhe gjithashtu ky ligj (ii) nuk zbatohet për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike[7]. Prandaj referenca në këtë ligj që bëhet në raportin e KOSID nuk qëndron. Është e pasaktë edhe referenca tjetër në raport se “ndarja e koncesionit duhet të bëhet përmes konkursit publik, të organizuar në pajtim me dispozitat e Ligjit Nr. 04/L-147 për Ujërat e Kosovës, Udhëzimin Administrativ MMPH Nr. 03/2018 për Procedurat për Leje Ujore, si dhe Ligjit Nr. 04/L-045 për Partneritet Publiko-Privat.”[8] As Ligji për Partneritet Publiko Privat e as Udhëzimi Administrativ për Leje Ujore të cilave iu referohet raporti nuk e rregullojnë fare ndarjen e koncesioneve. Ndërkaq Ligji për Ujëra nuk i ka rregulluar shumë prej çështjeve të cilat kanë të bëjnë me koncesionet si: kushtet, afatet, pagesat koncesionare etj., çështje këto të cilat duhet të rregullohen me një akt normativ. Për këtë arsye me vendimin e KNMU të cilit i referohet raporti i KOSID është kërkuar kompletimi i bazës ligjore për dhënien e koncesioneve për shfrytëzim të ujërave.

Edhe në kapitullin “Përfundime” është përmendur Baza e Hidroekonomisë e vitit 1983 në kontekst negativ: “Lëshimi i lejeve ujore për ndërtimin e HC në bazë të një studimi të bërë në vitin 1983 nga MEA. Ky veprim është shumë i dëmshëm dhe studimi është jo real me gjendjen dhe rrethanat aktuale të ujërave në Kosovë.”. Ky nuk është një ‘studim’ por një Master Plan jashtëzakonisht voluminoz dhe cilësor i cili i ka trajtuar të gjitha çështjet me interes për menaxhimin e ujërave për periudhën 1985-2005. Edhe pse i vjetër, përderisa nuk hartohen dokumentet e përditësuara planifikuese për ujëra, ky mbetet dokumenti i vetëm i cili përmban të dhëna dhe orientime për zhvillimin e resurseve ujore në Kosovë. Rrjedhimisht, marrja parasysh e këtij dokumenti me rastin e lëshimit të lejeve ujore (e jo lëshimi i lejeve ujore mbi bazën e tij, siç thuhet në raport) nuk është fare i dëmshëm por përkundrazi shumë i dobishëm për moscenimin e objekteve strategjike hidroteknike të cilat janë planifikuar me këtë dokument (si p.sh. sistemi i Lepencit) e të cilat nuk janë realizuar ende. Pra pikërisht referimi i vendimit të Këshillit mbi këtë dokument pamundëson dhënien e së drejtës ujore për hidrocentrale të vogla.

Përndryshe, shkeljet tjera ligjore të konstatuara me raportin e KOSID qëndrojnë, përkundër faktit që raportit i mungon konstatimi edhe i disa prej shkeljeve ligjore  si: (i) dhënia e lejes ndërtimore nga ana e Ministrisë së Mjedisit përkundër faktit që me ligj përcaktohet qartë që për HEC-et me kapacitet nën 10 MW lejet e ndërtimit lëshohen nga komuna, ose (ii) futja e lejes ujore, në kundërshtim me ligjin e ujërave, nga ZRRE si kusht për licencimin e HEC-eve si dhe shkelja e Rregullës së ZRRE për Procedurën e Autorizimit për Ndërtimin e Kapaciteteve të Reja Bazuar në Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë, për faktin se u janë zgjatur afatet e autorizimeve kompanive për gjenerimin e energjisë në kundërshtim me përcaktimet e kësaj Rregulle (në Rregull thuhet që afati maksimal për zgjatjen e autorizimit final është 12 muaj, ndërkaq ZRRE e ka zgjatur afatin për Kelkos dhe Operatorët Ekonomik tjerë 24 muaj e më shumë). Gjithashtu në raport nuk është theksuar shkelja që ka bërë ZRRE duke e lejuar Kelkos Energy që të operojë HEC-et në kaskadën e Deçanit pa pasur licencë (prej vitit 2016 deri në vitin 2019 ku i ka lëshuar licencë të përkohshme në mënyrë të paligjshme) dhe duke mos e ndëshkuar për operim pa licencë.

Në fund, edhe pse në raportin e KOSID konstatohet me të drejtë se e drejta ujore për shfrytëzim të ujit duhet të jepet me koncesion, në pjesën e rekomandimeve të raportit rekomandohen veprime që përfshijnë ‘lëshimin e lejeve ujore’ (pikat 9, 10, dhe 11) e që në një mënyrë, paqëllimshëm, legjitimojnë veprimin e kundërligjshëm të aplikimit të lejeve ujore dhe që bie ndesh me konstatimet dhe frymën e raportit.

Prishtinë, 3 dhjetor 2020                                           Sekretariati i Këshillit Ndërministror për Ujëra