Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik vendos për krijimin e grupit koordinues për COVID-19

Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE), anëtarë të të cilit janë kryeministri, ministrat e  Bujqësisë, Tregtisë, Infrastrukturës, Zhvillimit Ekonomik, si dhe përfaqësues të odave ekonomike, në takimin e mbajtur sot ka vendosur për krijimin e grupit koordinues për COVID-19.

Sipas njoftimit, ky grup koordinues do të ketë për qëllim trajtimin dhe adresimin e çështjeve ekonomike dhe problemeve që ka sektori privat, si rezultat i përballjes me pandeminë COVID-19.

Grupi do të kryesohet nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari.

“Një grup i nivelit të tillë do të punojë në mënyrë më efikase për të marrë vendime meritore në bazë të analizave dhe diskutimeve konstruktive ndër-institucionale për të kontribuar në përpilimin e masave të cilat i përgjigjen nevojave të sektorit privat”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Tregtisë.

Po ashtu, në njoftim u bë e ditur se në takimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, që udhëhiqet nga kryeministri, u identifikuan prioritetet dhe sfidat kryesore lidhur me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19, që do të ndikojnë në menaxhimin e gjendjes ekonomike të krijuar në Kosovë.