Foto: Adelina Ahmeti, KALLXO.com

Këshilli i Sigurisë mban mbledhje emergjente – Çka ndodhi mbrëmë në Zubin Potok?

Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje urgjente në orët e para të mëngjesit të sotëm në lidhje me shpërthimin e mbrëmshëm nga i cili u dëmtua një pjesë e kanalit të ujit të Ibër-Lepencit.

Në mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Kosovës u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024) pas shpërthimit të mbrëmshëm në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Kështu njoftoi Qeveria e cila drejtoi gishtin kah Serbia për këtë sulm duke thënë se indikacionet e para sugjerojnë se ai është orkestruar nga shteti serb, “i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist”.

“Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiq nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste” – thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në këtë mbledhje është ngritur edhe paralele e mundshme me një sulm të ngjashëm të Rusisë ndaj Ukrainës gjatë kësaj jave.

“U vu në pah edhe ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit” – tha Qeveria.

Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.

Qeveria thotë se janë ndërmarrë hapa konkretë për të rikthyer situatën në normalitet duke siguruar qytetarët se furnizimi me ujë dhe energji elektrike do të rregullohet sa më shpejt.

“Për më tepër, Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim” – thuhet në njoftim.

Në këtë drejtim thuhet se është intensifikuar edhe bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen.

“Shteti ynë është i vendosur dhe i përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike. Ne nuk do të tolerojmë akte të tilla që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe kërcënojnë paqen dhe funksionimin demokratik” – ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se situata po vihet nën kontroll drejt rikthimit në normalitet dhe ka kërkuar nga faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë sulm që “ka shkaktuar dëmtime të mëdha”.

Në njoftim thuhet se institucionet kosovare mbeten të angazhuara maksimalisht për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve dhe për të siguruar që autorët e këtyre veprimeve të paligjshme të përballen me drejtësinë.

Ky njoftim përfundon duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e dezinformatave dhe keqinterpretimeve të luftës hibride kundër shtetit dhe popullit të Kosovës.