Këshilli i Prindërve: Nuk e pranojmë vendimin për mbylljen e shkollave

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti ka zhvilluar takim me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti dhe ministrin e Arsimit në detyrë, Ramë Likaj, pas propozimit që shkollat e vendit nga e hëna të shkojnë në pushim një javor pas rritjeve të rasteve me COVID-19.

Reshiti në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se ky vendim është i papranueshëm për Këshillin e Prindërve dhe se në takim ka kërkuar që ky vendim të mos merret.

Reshiti ka theksuar se një mbyllje e tillë është vendimi jo i mirë sipas tyre.

“Argumentet tona janë shumë të fuqishme, përderisa nuk mbyllen kafiteritë ne nuk pranojmë që të mbyllen shkollat. Ne pajtohemi në rastet kur do të kishim mbyllje totale por jo me këtë mbyllje. Kosova është rasti më i keq me këtë vendim dhe ne konsiderojmë që është një ndër vendimet më të dëmshme”, tha ai.

Kryetari i Këshillit të Prindërve ka treguar edhe për atmosferën e takimit duke thënë se është bërë presion ndaj ministrit në detyrë të Arsimit, Ramë Likaj për të marrë vendimin për mbylljen e shkollave.

“Në këtë takim ka qenë një atmosferë debatuese megjithatë Këshilli i Prindërve ka qenë zë i vetmuar edhe pse kemi pasur një mbështetje të heshtur të Ministrit Likaj. Është bë presion që vendimi të merret nga Ministri Likaj dhe sipas meje ka qenë një presion psikologjik. Ky vendim ka një prapavijë dhe është tendecioz. Po flas në emer të të gjithë prindërve që nuk e pranojmë këtë vendim”, tha ai.

Pas takimit, nuk ka pasur konfercë për media nga zyrtarët e ekzekutivit.

Këshilli i Prindërve kundër pushimit një javor dhe mësimit online (Kallxo.com)