Shkolla ‘Besëlidhja’ në Lezhë : Foto : Elvis Hila

Këshilli i Prindërve: Ministria e Arsimit nuk është konsultuar me ne për vitin e ri shkollor

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk e ka kontaktuar për të marrë pjesë në hartimin e udhëzimit për mësimin në kohë pandemie si dhe në master-planin për vitin e ri shkollor.

Reshiti, megjithatë, thekson se nuk i ka mbetur hatri për këtë dhe si Këshill i Prindërve pajtohen që mësimi të fillojë më 1 shtator.

“Nuk kemi qenë pjesë e hartimit të planit për fillimin e vitit shkollor. Nuk jemi konsultuar, por megjithatë nuk kemi hatërmbetje. Ne vazhdojmë për iniciativa pozitive me vazhdu procesin mësimor, edhe pse një praktikë e tillë do të duhej që të mos zbatohej nga MASh por nga asnjë institucion që ka të bëjë me arsimin”, tha Reshiti për KALLXO.com.

Sipas tij, Këshilli i Prindërve e mbështet vendimin e sotëm të Qeverisë që e miratoi planin e MASh-it për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Ne e përkrahim fillimin e vitit të ri shkollor më 1 shtator, për shkak se edhe kërkesa e prindërve dhe nxënësve ka qenë për me i rishiku mundësitë me fillu mësimi në shtator në shkolla dhe ka qenë kërkesë e kahershme dhe e vazhdueshme”, shtoi ai.

Ai shtoi se rikthimi në shkolla është i domosdoshëm për nxënësit.

“Ne tash duhet të fokusohemi në shkolla, sepse mësimi nga distanca ka treguar që nuk i ka arritur pritshmëritë dhe objektivat, andaj, për mos m’i dëmtu fëmijët ne duhet të sfidojmë këtë virus dhe të shohim”, tha në fund Reshiti.

Sot, Qeveria e Kosovës ka miratuar master-planin e Ministrisë së Arsimit në bazë të të cilit mësimi do të fillojë më 1 shtator.

Në bazë të këtij plani, hapja e shkollave do të bëhet me 1 shtator në tri faza për të gjitha nivelet e arsimit.

Fillimin e vitit të ri shkollor më 1 shtator e ka kundërshtuar Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, duke kërkuar që të shtyhet për të paktën dy javë.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, në kohë pandemie, Skenari A- rikthimin në ambientet shkollore të nxënëseve, Skenari B – mësimin e kombinuar dhe Skenari C – mësimi nga platforma të ndryshme. Por, ende nuk është vendosur në mënyrë konkrete për ndonjërin.

Institucionet shkollore në Kosovë ishin mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.