Foto: KALLXO.com. 05.09.2019

Këshilli i Përgjithshëm i VV-së zyrtarizon kandidaturën e Kurtit për kryeministër

Lëvizja Vetëvendosje në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm ka zyrtarizuar kandidaturën e liderit të saj Albin Kurtit për kryeministër të vendit.

Prezantimin e tij e bëri ish-shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjuca, i cili e cilësoi Kurtin si njërin nga personat më të përgatitur për këtë post.

“Është një nder shumë i madh për mua që ta paraqes kandidatin e partisë sonë për kryeministër, Albin Kurtin. Ai është simboli i VV-së, aktivisti i yni i dalluar që s’u ndal kurrë, veprimtar i palodhshëm dhe më i përgatituri në mesin tonë”, tha Konjufca.

Ai shtoi se moto e kësaj partie për këto zgjedhje do të jetë: “Me Albinin përpara na priftë e mbara”.

Kurse, kandidati tashmë i zyrtarizuar nga kjo parti për kryeministër, Albin Kurti tha se qeveria e tij do ta luftojë korrupsionin, nepotizmin dhe krimin e organizuar.

Megjithatë, Kurti nuk la pa kritikuar edhe presidentin Hashim Thaçi dhe ish-partinë e tij, PDK.

“Presidenti i Kosovës dhe ish-partia e tij të cilën ai e udhëheq ende, e kanë humbur rrugën në oborr duke na sjell Serbinë brenda dhe duke falur tokë. Neve na duhet një e ardhme kur askush nuk vdes në spital , një e ardhme ku puna zgjat tetë orë, një e ardhme ku punëtori i përfiton të drejtat e tij dhe do të ketë kontratë”, tha Kurti.

Ai premtoi edhe përmirësim të sistemit të arsimit nëse bëhet kryeministër.

“Një e ardhme e një mësuesi që pensionohet me një dinjitet dhe me një pagë të mirë. Një e ardhme që rritet cilësia e arsimit dhe do të krijohen vende punë ku korrupsioni qeveritar merr fund”, tha Kurti.

Lideri i VV-së tha se fitorja e kësaj partie do t’i forcojë edhe partitë e tjera.

“Më 6 tetor do të jetë moment referendum sepse kur të fitojë VV të gjitha partitë do të bëhen më të mira sepse rritet standardi për kandidim”, tha Kurti.

“Më ndihmoni ta luftojmë krimin e organizuar, korrupsionin dhe nepotizmin. Le të bëhemi bashkë për fitoren e madhe sepse vetëm bashkë është gjithçka e mundur”, përfundoi Kurti.

Pjesa tjetër e mbledhjes se Këshillit të VV-së, ku pritet të votohen edhe kandidatët për deputetë, u zhvillua pa praninë e mediave.

Zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës do të mbahen me 6 tetor. Deri te zgjedhjet erdhi pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit dhe vetëshpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje do të kandidojë e vetme.