Foto: Kallxo.com

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së cakton Avdullah Hotin për kryeministër, një votë kundër dhe një abstenim

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie është përcaktuar që Avdullah Hoti të jetë kandidat për kryeministër.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një adresim drejtuar anëtarëve të Këshillit, ka bërë të ditur numrin e votave që mori Hoti në këtë propozim përmes votimit elektronik.

Sipas tij, 92 anëtarë kanë votuar për, 1 kundër dhe 1 ka abstenuar.

“Kam kënaqësinë t’ju informoj se nga 94  anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së që kanë marrë pjesë në votim, nëntëdhjet e dy (92)  kanë votuar  për propozimin e Kryesisë së LDK-së, që z. Avdullah Hoti të jetë kandidati ynë për Kryeministër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, një (1) ka votuar kundër dhe një (1)  ka abstenuar”, citohet të ketë theksuar Mustafa.

Kryesia e LDK-së dje ka vendosur që Avdullah Hoti të jetë kandidat për kryeministër i kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme.

Në fillim të vitit të ardhshëm pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshme zgjedhjen e Qeverisë Hoti.