Këshilli i Nxënësve: Drejtori i një shkolle gati e goditi një nxënës për pjesëmarrje në protestë

Më 19 prill, qindra nxënës në gjithë vendin me moton “S’po shkohet në shkollë” dhe thirrje të shumta për barazi e siguri në arsim, protestuan për mungesën e cilësisë në arsim dhe sjelljet e profesorëve.

Përfaqësuesi i Këshillit të Nxënësve të Kosovës, Denis Krasniqi, bëri të ditur në ‘Kallxo Përnime’ se nga kjo protestë nxënësit kanë pësuar nga drejtorët dhe profesorët e shkollave.

“Pas protestës, të dy palët a e dini se sa shumë janë penalizuar nxënësit të cilët kanë dalë në protestë. Ka raste kur ka pasur gati përleshje fizike, jo përleshje, po goditje gati fizike të kryetarit të nxënësve të shkollës prej drejtorit të shkollës në ditën e protestës në një shkollë në kryeqytet”, tha Krasniqi.

Ai tregoi edhe një rast kur një drejtor i një shkolle ka tentuar t’i ndalojë nxënësit për pjesëmarrje në protestë.

“Në kryeqytet në një prej shkollave më të mëdha të mesme, nxënësve u është mbyllur dera në ditën e protestës, tash këto probleme na qesin neve me një pozitë që nuk dimë nga me ia mbajtë. Ne as s’jemi kundër juve, as kundër MASHTI ne jemi për bashkëpunim dhe themi eja ulemi bashkë. Nxënësit s’kanë mujtë me ardhë në protestë sepse drejtori ua ka mshel derën e shkollës në shkollën ‘Eqrem Çabej’ në Prishtinë”, tha Krasniqi më tej.

Për këto detaje, zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci tha se nuk ka dëgjuar asnjëherë.

“Nuk ka qenë veprimi i duhur dhe hera e parë që po e dëgjoj një gjë të tillë dhe edhe nxënësit sikur të gjithë të tjerët kanë të drejtë ta shprehin mendimin e tyre dhe s’ka qenë veprim i duhur. Po ashtu, për herë të parë po dëgjoj edhe për rastin për tentim për sulm ndaj një nxënësi”, tha Pupovci në ‘Kallxo Pernime’.