Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë vendos lidhur me konkursin kontravers për Profesor Asistent

Komisioni recensues i Fakultetit të Mjekësisë i përbërë nga Antigona Hasani, Nehat Baftin dhe Kemal Tolga Saracoglu, ka vendosur për herë të dytë që kandidatin Fatos Sada ta propozojë që të zgjidhet Profesor Asistent në këtë fakultet.

Kjo edhe pas ankesave dhe pretendimeve të kundërkandidates së tij që e kishin kthyer procesin nga fillimi.

Fatos Sada dhe Agreta Gecaj- Gashi kanë konkurruar për pozitën e Profesorit Asistent në konkursin e fundit të Fakultetit të Mjekësisë.

Të dy kishin konkurruar për pozitën Profesor Asistent në konkursin e Fakultetit të Mjekësisë të datës 22 tetor 2019 për një grup lëndësh.

Një pikë konkursi për Profesor Asistent në Fakultetin e Mjekësisë është diskutuar sot në Këshillin e këtij fakulteti.

Komisioni Recensues përsëri kishte rekomanduar Fatos Sadën, edhe pas ankesës së kundërkandidates Gecaj- Gashi.

Në mbledhjen e kaluar të këtij këshilli, kjo pozitë u kthye në rivlerësim në mënyrë që njëri anëtar të shkruajë vlerësimin e tij për njërin kandidat, vlerësim ky që mungoi në raportin fillestar.

Por, nëse kandidati i tretë i komisionit recensues kishte bërë ose jo vlerësimin, nuk u përmend fare në këtë mbledhje.

Agreta Gecaj- Gashi u refuzua përsëri edhe pas ankesës me arsyet se ka notë mesatare të ulët, nuk ka përvojë të punës dhe nuk ka trajnime adekuate për këtë pozitë.

Komisioni edhe pse përsëri kishte rekomanduar Sadën, këtë rast ia kishte lënë në dorë anëtarëve të Këshillit të Fakultetit, të cilët me shumicë votash miratuan rekomandimin e komisionit vlerësues.

Në anën tjetër, Komisioni për Kuadro në këtë këshill kishte thënë se asnjëra prej kushteve nuk janë në kritere në konkurs sipas legjislacionit në fuqi sepse te dytë kanë plotësuar kushtet mesatare.

Por, dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka- Kërliu tha se edhe pse nuk kërkohet decidivisht në rregullore nota mesatare, kur krahasohen kandidatët për pozitën e Profesorit Asistent, sipas saj është normale që komisioni të rekomandojë kandidatin më të mirë.

“Ne kemi pasur dy kandidatë shumë të mirë, të dy kandidatët janë doktor shkence, kandidatja e parë edhe pse nuk e ka notën mesatare, ka shumë punime, por kur i krahasojmë të dy kandidatët sigurisht se ai me notë mesatare më të madhe rekomandohet. Gjithashtu unë jam takuar edhe me studentët, të cilët kanë thënë se janë shumë të kënaqur me performancën e Sadës”, ka thënë Manxhuka- Kërliu.

Komisioni për ankesa përbëhet nga Naim Jerliu, Besim Morina dhe Burim Neziri ndërsa kandidatët u vlerësuan nga komisioni recensues që ka këtë përbërje: Antigona Hasani, Nehat Baftiu dhe Kemal Tolga Saracoglu.

Historiku i problemeve me këtë konkurs

Komisioni recensues i përbërë nga Antigona Hasani, Nehat Baftiu dhe Kemal Tolga Saracoglu më 27 nëntor ka marrë vendim që kandidatin Fatos Sada ta rekomandojë për pozitën e Profesorit Asistent në pozitën 51 sipas konkursit të fundit në UP.

Ata kishin vlerësuar se kandidati Sada i plotëson të gjitha kushtet e parapara me Statutin dhe Rregulloren e UP-së, duke përshkruar se ai posedon titullin Doktor i Shkencave të Mjekësisë, posedon publikime shkencore si autor i parë dhe si ko-autor, është Asistent i rregullt në Fakultetin e Mjekësisë, ka notë mesatare në studimet themelore 8.87 dhe është nën moshën 50 vjeçare.

Në anën tjetër për kandidaten Gecaj- Gashi ata  kanë shkruar se nuk i plotëson kushtet e parapara me Statutin dhe Rregulloren. Kjo për shkak se  sipas komisionit recensues nuk ka qenë asnjëherë e zgjedhur si Asistente e rregullt në Fakultetin e Mjekësisë dhe ka notë mesatare 7.57, gjë që e disfavorizon në krahasim me kandidatin Sada.

Megjithatë, brenda këtij raporti  te përmbledhja e aktiviteteve shkencore në tabelat për kandidatët shkruhet se kandidatja Gecaj- Gashi ka të shënuara katër punime si autor kryesor dhe si autor korrespondent përkundër kandidatit Sada, i cili e ka vetëm një.

Në tabelën e publikimeve në revista ndërkombëtare dhe vendore, vërehet se kandidatja Gecaj- Gashi ka 20 ndërsa kandidati Sada ka 11 të tilla.

Kandidatja Gecaj- Gashi ka 27 publikime në konferenca, simpoziume, punëtori shkencore ndërkombëtarë si autore kryesore ose si autore korrespondente, ndërsa kandidati Sada ka 12 .

E publikime në konferenca, revista, simpoziume, punëtori shkencore të publikuara në Kosovë e në Rajon, kandidati Sada ka 13, ndërsa kandidatja Gecaj- Gashi ka 12.

Gecaj- Gashi ka 5 ligjërata- prezantime gojore shkencore në konferenca, simpoziume, punëtori shkencore dhe në universitete si ligjëruese e ftuar, ndërsa kandidati Sada ka 8.

Gecaj- Gashi ka një publikim si recensente në revistë akademike apo shkencore, kurse kandidati Sada nuk ka asnjë. E kontribute të tjera shkencore dhe profesionale kandidati Sada ka 3 përderisa kandidatja Gecaj- Gashi asnjë.

Pretendimet e kandidates

Me rekomandimin e komisionit recensues nuk është pajtuar kandidatja, Agreta Gashi- Gecaj.

Ajo për Gazetën Jeta në Kosovë thotë se vlerësimi është bërë kundër Rregullores, Statutit t UP-së dhe Ligjit për Arsimin e Lartë.

Sipas saj, as angazhimi si asistente e rregullt në Fakultetin e Mjekësisë në UP dhe as nota mesatare nuk kërkohen sipas rregullores së fundit të UP për emërimin, riemërimin dhe avancimin e stafit akademik.

Sipas rregullores së UP, për t’u zgjedhur profesor asistent, kandidati duhet që: të ketë gradën e doktorit të shkencës, të ketë numër të zgjedhur të monografive dhe publikimeve të shqyrtuara në revista ndërkombëtare shkencore, më së paku një punim kryesor të publikuar dhe të shqyrtuar në revista ndërkombëtare si autor i parë apo si korrespodent, të tregojë aftësi për mësimdhënie, të ketë së paku tre vjet përvojë pune në procesin mësimor në njërin prej institucioneve të Arsimit të Lartë së paku gjashtë semestra si dhe kandidati i cili zgjidhet për herë të parë nuk duhet të jetë më i vjetër se 50 vjet.

Në këtë rregullore nuk specifikohet nëse kandidati i zgjedhur duhet të ketë mesatare më të lartë ose më të ulët e as të jetë ose mos jetë i zgjedhur si Asistent i rregullt në fakultetin e Mjekësisë në UP.

Ajo thotë po ashtu se në rregulloren e Universitetin e Prishtinës kërkohet përvoja e punës si e zgjedhur ose e angazhuar së paku gjashtë semestra në njërën prej institucioneve të arsimit të lartë.

“Unë i kam 8 semestra në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Mjekësisë dhe 6 semestra në AAB, i cili me ligjet e Kosovës konsiderohet si institucion i arsimit të lartë”, thotë Gashi- Gecaj.

“Sa i përket punimeve mendoj se këtu bëhet diferenca, përvojën e kemi të barabartë, të dy jemi doktor shkence. Ai e ka vetëm një punim të indeksuar ndërsa unë i kam pesë punime edhe pse në vlerësimin e komisionit e kanë larguar një punim për shkak se e kanë cilësuar pa kritere edhe pse ai është i publikuar në një revistë prestigjioze me impakt faktor 27.5 dhe i cituar nga revista tjera prestigjioze, por ata janë munduar të minimizojnë punën time”, vazhdon ajo.

Më tej ajo shton se në dy platformat Web of Science dhe Scopus ka 13 publikime e në 5 prej tyre si autore e parë.

Gjithashtu, sipas saj, komisioni vlerësues nuk e ka zbatuar normën ligjore të nenit 8 të Statutit, i cili i detyron organet e Universitetit që të sigurojë barazi gjinore dhe në rastet kur kandidatët gra kanë të arritur profesionale si kandidatët burra, t’i jepet përparësi kandidates.

Ajo thotë se përveç se nuk e kanë zbatuar këtë nen të Statutit ata kanë thënë se kandidatja “nuk i plotëson kushtet”.

“Unë nuk jam favorizuese e favoreve në bazë të gjinisë mirëpo ne nuk jemi të barabartë. Unë kam shumë më tepër aktivitet shkencor dhe ajo e bën diferencën”, vazhdon ankuesja.

Gashi- Gecaj thotë po ashtu se komisioni ka vlerësuar si punim të kundërkandidatit një punim të saj të vitit 2005 në një konferencë në Tiranë.

Ajo thotë se sikur të vërtetoheshin këto punime të kundërkandidatit Sada, do të shihej qartë se Gashi- Gecaj është autore e parë dhe Sada është ko-autor dhe sipas saj, ky akt është përvetësim i punës së saj.

Më tej, ankuesja thotë se anëtari i tretë i komisionit recensues ka vlerësuar vetëm kundërkandidatin dhe jo atë. Gashi- Gecaj vë dyshime se anëtari Kemal Tolga Saracoglu nuk ka pranuar fare materialin e saj si kandidate për pozitën e Profesorit Asistent.

Kandidatja thotë se përzgjedhja e anëtarit të tretë të komisionit është bërë në bazë të preferencave të kryetares së komisionit Antigona Hasani e cila sipas saj ka shoqëri me profesorin.

Gazeta JnK ka kontaktuar me komisionin vlerësues, përkatësisht Antigona Hasanin, Nehat Baftiun dhe Kemal Tolga Saracoglu.

Nga të gjithë anëtarët, vetëm Kryesuesja e komisionit, Antigona Hasani i është përgjigjur email-it.

Ajo nuk është përgjigjur në pyetjet me arsyetimin se është konsultuar me zyrën ligjore të Fakultetit të Mjekësisë dhe të njëjtit i kanë rekomanduar që të mos përgjigjet pasi konsiderohet ndërhyrje në vendimet e komisioneve dhe është konflikt interesi për kandidatët pasi që janë në fazën e shqyrtimit të recensioneve.

Ankuesja vë dyshime edhe punimet e prezantuara të kundërkandidatit te anëtari i tretë i komisionit.

Gashi- Gecaj duke cituar vlerësimit e anëtarit Kemal Tolga Saracoglu për kundërkandidatin Sada ku thuhet se ka qenë pjesëmarrës edhe në dy punime multicentrike Las Vegas dhe ETPOS.

“Duhet të ceki se ETPOS është një punim multicentrik nga Shoqata Evropiane e Anesteziologëve, ku kundërkandidati im nuk është pjesë e punimit, gjë që mund të dëshmohet me një qasje të lehtë në internet, ku shihet qartë që jo veç kundërkandidati, por as Kosova nuk janë fare”, deklaron ajo.

Ndër shumë pretendime Gashi- Gecaj thotë se i është larguar një punim ku ajo është recenzente në një revistë ndërkombëtare.

“Tjetër, askund nuk është cekur se unë kam qenë koordinatore nacionale në tri projekte ndërkombëtare multicentrike të organizuara nga Shoqata Evropiane e Anesteziologëve dhe të triat janë publikuar në revista me impakt shumë të lartë, kjo nuk është cekur askund edhe pse kanë pasur dëshmi të mjaftueshme komisioni”, thotë ajo.

Gashi- Gecaj tashmë ka bërë ankesë kundër vendimit të komisionit recensues për rekomandimin e kandidatit Fatos Sada.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me tre anëtarët e komisionit vlerësues, por kryesuesja e këtij komisioni, Antigona Hasani ka thënë se meqënëse konkursi është në fazën e shqyrtimit, nuk mund të japë sqarime momentalisht.

“Pas përfundimit të komisioneve përkatëse do të ju kontaktojmë”, ka shtuar ajo.

Kandidati Sada në një deklarim për GJNK, ka thënë se i ka plotësuar të gjitha kushtet të cilat janë të përcaktuara me rregullore dhe statut të Universitetit të Prishtinës.

Sada kishte reaguar duke thënë se diferenca në mes tij dhe kundërkandidates bëhet me përvojën e punës që ka ai, rezultatet si asistent i rregullt, nota mesatare më e lartë, si dhe trajnimet për mësimdhënie që ai ka.

Sipas tij, ai ka dy të trajnime të tilla pranë Qendrës për Përsosmëri të Studimeve në UP, dhe dy në nivel të Shoqatës Evropiane të Anestezionit të mbajtura në Rigë/Letoni dhe në Bruksel/Belgjikë.

Sada thotë se ka përvojë 12 vjeçare në mësimdhënie si asistent i rregullt pranë Fakultetit të Mjekësisë dhe se avancimi i tij ka qenë kërkesë e Fakultetit drejtuar Rektoratit.

Ai ka përmendur edhe notën mesatare të kundërkandiates, që sipas tij, ka ndikuar që Gecaj- Gashi të refuzohej dy herë në konkurset për asistente të rregullt. Ai kishte vënë dyshime edhe në doktoratën e kundërkandidates.

Ai ka thënë se kandidatja është refuzuar nga Universiteti i Prishtinës pasi ka pasur notë mesatare më të ulët se 8.

Sipas tij, nota mesatare e kundërkandidates ka ndikuar që ajo të mos jetë as si e angazhuar në Universitetin e Prishtinës.

Kandidatja Gecaj- Gashi përsëri ka reaguar ndaj pretendimeve të kundërkandidatit Sada.

Gecaj- Gashi përsëri ka deklaruar se i plotëson të gjitha kushtet e parapara sipas Statutit të UP (neni 177) dhe Rregullores në fuqi (neni 6) për pozitën Profesor asistent, si dhe, se tejkalon disa herë kundërkandidatin me veprimtari shkencore.

Ajo ka thënë se me mos rekomandimin e saj, komisioni vlerësues është shkelur Statuti i UP dhe Rregullorja në fuqi.

Ndërsa ka shtuar se nota mesatare nuk është kusht i përzgjedhjes për këtë pozitë dhe pse ajo po përdoret si argument kundër saj.

“Nota mesatare në studime themelore nuk është as kusht as kriter i përzgjedhjes për pozitën e profesorit asistent sipas Statutit te UP dhe sipas Rregullores në fuqi, ju pëlqeu kjo apo jo atyre që po e përdorin si argument kundër meje. Sa i përket notës time mesatare, është nota mesatare e një studenteje të mjekësisë e cila e ka kryer fakultetin e mjekësisë 6 vjeçar në afat ( për 6 vite), e para e gjeneratës, në moshën 24 vjeçare , në vitin 1997”, ka deklaruar ajo.

Më tej, Gecaj- Gashi ka thënë se ajo kurrë nuk është refuzuar nga kandidimi për doktoraturë, por se një numri të madh i është mohuar e drejta e studimeve të doktoratës në UP.

Kandidatët janë vlerësuar nga komisioni i njëjtë, i cili i ka vlerësuar edhe herën e parë.