Ilustrim

Këshilli i Europës proteston ndaj ligjeve kundër medias në Shqipëri

Komisionerja e Lartë e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç, i cilësoi projektligjet e qeverisë në shkelje të standardeve Europiane të të drejtave të njeriut.

 

Dunja Mijatoviç, komisionere e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut iu bashkua korrit të protestave kundër projektligjeve të qeverisë Rama duke kërkuar rishikimin e tyre nga e para dhe duke i konsideruar ato “një goditje e rëndë për lirinë e shprehjes.”

Mijatoviç, e cila ka qenë më herët Përfaqësuese e OSBE-së për Lirinë e Medias, e publikoi deklaratën në Facebook të Martën më 17 dhjetor.

“Jam thellësisht e shqetësuar kur mësova se këtë javë Parlamenti i Shqipërisë ka vijuar me ekzaminimin e dy projektligjeve, të njohura si “Paketa anti-shpifje.” Këto ligje kanë nevojë urgjente për përmirësim,” deklaroi Mijatoviç.

“Në të vërtetë, shumë nene janë jo në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe europiane të të drejtave të njeriut, të cilat mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.

Jam në veçanti e shqetësuar se fuqi diskrecionare i jepen organeve rregullatore, me mundësinë për të imponuar gjoba të tepërta dhe për të bllokuar faqe interneti pa një urdhër gjykate, si dhe për vendosjen e rregullimit shtetëror për median online, gjë që mund t’i japë një goditje të fortë lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias në vend. Ka rëndësi të jashtëzakonshme që të sigurohemi që interneti të mbetet i hapur dhe forum publik dhe që të mbizotërojë vetërregullimi në media, përfshirë median online.”

Mujatoviç i bëri thirrje Parlamentit të Shqipërisë të rishihkojë draftet aktuale dhe t’i sjellë ato në përputhje me standardet e Këshillit të Europës dhe çështjet gjyqësore të vendosura në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Mijatoviç njihet në Shqipëri për kundërshtimin e saj të ashpër në vitin 2015 ndaj nismës së atëhershme të kryeministrit Edi Rama për “kriminalizimin e shpifjes ndaj zyrtarëve të lartë”.