
Këshilli i Etikës i UP-së zgjodhi kryesues profesorin Flamur Hyseni
Anëtarët e Këshillit të Etikës të UP-së në mbledhjen e mbajtur më 16.12.2024 kanë zgjedhur kryesues me mandat dyvjeçar profesorin Flamur Hyseni.
Përbërja e re e Këshillit të Etikës ishte miratuar në mbledhjen e nëntë të Senatit të Universitetit të Prishtinës të zhvilluar më 27.11.2024.
Përveç kryesuesit Hyseni, Këshilli ka anëtarë profesorët Safet Merovci, Rajmonda Nallbani, Qëndrim Gashi dhe asistenten Furtuna Sheremeti.
Sipas njoftimit, në fjalën përshëndetëse, në fillim të mbledhjes konstitutive, rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, e cilësoi Këshillin e Etikës gardian të vlerave të Universitetit të Prishtinës.
“Rektori i siguroi anëtarët e Këshillit të Etikës se do ta kenë mbështetjen e pakufizuar të tij dhe ekipit që drejton, duke u uruar të jenë gjithnjë në krye të detyrës”- thuhet në njoftim.
Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës heton parregullsitë, por edhe sjelljet e papranueshme të personelit akademik dhe studentëve.
Votimi i emërimit të anëtarëve të Këshillit të Etikës të UP-së vjen dy muaj e gjysmë pas përfundimit të mandatit të Këshillit të kaluar të Etikës, më 01.10.2024.
Në një konferencë për media të datës 08.11.2024, rektori i UP-së Arben Hajrullahu kishte treguar se 20 e më shumë profesorë të UP-së kanë shprehur interesim për të qenë pjesë e Këshillit të ri të Etikës të UP-së.
Ky interesim i profesorëve të UP-së për të qenë pjesë e Këshillit të Etikës të UP-së u shfaq përmes një email-i që rektori Hajrullahu ua kishte dërguar për të dytën herë stafit akademik të UP-së që të bëhen pjesë e Këshillit.
Këshilli i Etikës i UP-së që i përfundoi mandati më 01.10.2024 përbëhej nga katër anëtarë burra: Iset Morina (kryesues) dhe anëtarët – Arben Hajdari, Skender Muji dhe Rrezeart Galica.
Dy gra e tre burra emërohen anëtarë të Këshillit të ri të Etikës të UP-së