Këshilli i Bashkësisë Islame jep detaje për xhaminë e dëmtuar nga aksidenti në Pejë

Xhamia “Mesxhidi i Madh” në Pejë është jashtë funksionit që nga 13 qershori për shkak se një pjesë e saj është dëmtuar si pasojë e një aksidenti, ku vetura ka goditur një pjesë të xhamisë.

Sipas Policisë në Pejë, si pasojë e këtij aksidenti lëndime kanë pësuar dy persona.

Ky aksident i ka shkaktuar dëme murit dhe dritares së xhamisë e cila ndodhet në rrugën “General Ëesley Clark”.

Kryeimami i Bashkësisë Islame në Pejë, Enes Goga ka thënë për KALLXO.com se në këtë xhami nuk janë kryer rite fetare që nga dita e ngjarjes.

Goga ka thënë nga aksidenti është dëmtuar një pjesë e korridorit të xhamisë ndërsa pjesa kryesore e xhamisë nuk është dëmtuar.

“Ju kemi drejtuar sot Drejtorisë për Emergjenca Shpëtim dhe Mbrojtje dhe kemi kërkuar me i pastrua mbeturinat që janë shkaktuar nga aksidenti, kemi kërkuar një ekspertizë të rrezikshmërisë për me e hap brenda sepse pjesa kryesore e xhamisë nuk është dëmtuar dhe javën tjetër na japin rekomandimet dhe vazhdojmë hapat konkret”, ka thënë Goga për KALLXO.com.

Tutje ka thënë se për rastin është njoftuar edhe Instituti për Mbrojtje dhe Monumente historike në Prishtinë.

“Para dy dite kanë ardhë një komision prej Institutit për Mbrojtje dhe Monumente historike dhe po presim një raport për të marrë hapat tutje për të sanuar dëmin”, ka thënë ai.