Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë bën thirrje për unitet politik në Kosovë para dialogut me Serbinë

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) janë shprehur të kënaqur që SHBA-të dhe BE-ja kanë përgënjeshtruar mundësinë që të kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të diskutohet për shkëmbimin e territoreve.

“KASH e çmon si inkurajues faktin që partnerët kryesorë të këtij procesi, BE dhe SHBA-të e kanë përgënjeshtruar mundësinë e  çdo ndryshimi territorial apo të kufijve në mes të dy shteteve, në çfarëdo forme, në kuadrin e Marrëveshjes së ardhshme. Rikujtojmë më këtë rast Letrën tonë të datës 5 Mars për Presidentin Trump ku, ndër të tjera, nënvizonim se “çdo qasje alternative për mundësinë e rishikimit të territoreve mbi bazën e parimeve etnike mund të minonin stabilitetin në Kosovë dhe në shtete e tjera multietnike”,  thuhet në njoftimin dërguar mediave.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë është një organizatë e pavarur që mbledh ish-ambasadorët shqiptarë që tani nuk janë në detyrë.

Tutje në njoftim, Këshilli i Ambasadorëve ka kërkuar nga spektri politik në Kosovë që t’i lënë anash grindjet politike në Kosovë dhe të tregohet unitet në procesin e dialogut me Serbinë.

“KASH bën thirrje që, në vend të protagonizmit politik dhe ndasive artificiale partiake, të kërkohet më shumë se kurrë konsensus dhe unifikimi i pozicioneve politike, me qëllim që Republika e Kosovës të përfaqësohet sa më denjësisht, si në aspektin politik e ashtu dhe atë profesional, në këtë dialog historik”, thuhet tutje aty.

KASH poashtu ka përshëndetur Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për nismat më të fundit, lidhur  me përshpejtimin e këtij procesi si dhe angazhimin e Gjermanisë dhe Francës për procesin e dialogut në Kosovë.

“Në këtë kuadër,  KASH vlerëson rëndësinë e angazhimit dhe rolit drejtues të  Kancelares gjermane  Merkel dhe Presidentit francez  Macron, ky i fundit dhe si mikpritës i  Samitit te posaçëm në Paris më 17 Korrik.Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mirëpret dhe përshëndet  zhvillimin  më 27 Qershor, në Shtëpinë e Bardhë, të Takimit të posaçëm, me pjesëmarrjen e  udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë,  nën kujdesin e Presidentit Trump dhe të Dërguarit të tij të Posaçëm, Richard Grenell”, thuhet në komunikatë.

Tutje në komunikatë ata kanë shprehur besimin se ky takim, do t’i japë një impuls dhe shtysë të re dhe cilësore dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë – Serbi, duke filluar nga fusha ekonomike, në vijim të dokumenteve  të nënshkruara në shkurt të këtij viti mbi transportin ajror dhe hekurudhor.

“Me këtë rast, KASH e sheh të nevojshme të ritheksojë se suksesi i mëtejshëm dhe i qëndrueshëm i këtij dialogu historik dhe sfidues e bën të domosdoshëm bashkëpunimin ndërmjet SHBA-ve me BE-në. Betejat e përbashkëta për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës dhe  arritjet e tjera madhore të Kosovës dhe të Ballkanit Perendimor në përgjithësi,  në 20 vitet e fundit, janë dëshmitë më  të mira të përparësive të këtij bashkëpunimi strategjik të aleatëve Euro-Atlantik”, thuhet në komunikatë.

“ Për më tepër, Kosova, Serbia, sikundër edhe i gjithë Ballkani Perendimor, ndajnë  objektivat e përbashkëta strategjike dhe veçanërisht të  liberalizimit të vizave dhe hyrjes në BE, antarësimit  në NATO dhe në përgjithësi, integrimi në ombrellën Euro-Atlantike”, theksohet në komunikatë.

Sipas tyre takimi i qershorit dhe korrikut do të shënojnë një kthesë të re në procesin e dialogut Kosovcë-Serbi.

“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, beson fuqimisht se takimi i Washingtonit, më 27 Qershor, si  dhe ai në Paris, më 17 Korrik, janë dy anë të të njëjtës medalje dhe do të shënojnë intensifikimin e një bashkëpunimi dhe më efikas e të frytshëm SHBA – BE, deri në realizimin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe me njohjen e ndërsjellë të integritetit dhe sovranitetit të secilit vend”, thuhet tutje.

Tutje Këshilli i Ambasadorëve është shprehur i gatshëm që të jap kontributin e tij për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Së fundi, falë ekspertizës, kapaciteteve dhe pranisë të ambasadorëve të nderuar nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, që kanë shërbyer në Kosovë, Beograd, Londër, Bruksel, Washington, Paris, Berlin, Romë, Strasburg dhe gjetkë, KASH është i gatshëm të japë ndihmesën e vet, në përshpejtimin dhe përfundimin e këtij procesi me rëndësi dhe rrjedhoja madhore për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë e Serbi, por në gjithë rajonin e Ballkanit dhe më gjerë”, përfundon komunikata.

Pas më shumë se një viti bllokadë të dialogut Kosovë-Serbi për shkak të vendosjes së tarifës 100 për qind, Kosova dhe Serbia pritet të takohen në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e emisarit të administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Rechard Grenell.