Bedri Duraku. Foto: Facebook

Këshilli Gjyqësor suspendon Koordinatorin e Lirimit me Kusht

Këshilli Gjqësor i Kosovës (KGjK) ka suspenduar nga puna koordinatorin e Panelit te Lirimit me Kusht, Bedri Durakun.

Duraku në seancën e 20 shkurtit u deklarua i pafajshëm pasi u ballafaqua me akuzën e Prokurorisë për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Dosja e Prokurorisë – Zyrtari KGjK-së flasifikoi dokumentin zyrtar

Më 20 shkurt, KGJK-ja është pyetur nga KALLXO.com nëse ndaj të akuzuarit Duraku ka marrë ndonjë vendim për suspendim, dhe sipas njoftimit të sotëm KGJK-ka ka bërë të ditur se ai është suspenduar nga detyra me ndalesë në pagë prej 50%.

Aktakuza thotë se Bedri Duraku në muajin korrik të vitit 2016, si koordinator i Panelit për lirim me kusht në Këshillin Gjyqësor të Kosovës ka përpiluar shkresën zyrtare me përmbajtje të rreme.

Sipas Prokurorisë, Duraku në cilësinë e personit zyrtar pa autorizim ka përpiluar aktin për vazhdimin e mandatit të Panelit për Lirimin me Kusht, i cili ishte në tri faqe duke e ndryshuar përmbajtjen e tij ashtu që faqen e parë e ka lënë të njëjtë, faqja e dytë ka munguar dhe faqen e tretë e ka modifikuar.

Me ndryshimin e këtij akti është hequr baza ligjore për vazhdimin e mandatit ndaj të anëtarëve të PLK-së.

Sipas aktakuzës thuhet se Duraku aktin e falsifikuar e ka protokolluar me numrin e aktit origjinal i cili kishte tri faqe dhe të njëjtin pas nënshkrimit e ka prezantuar në mbledhjen e KGJK-ës, ndërsa me datën 21 korrik 2016, gjyqtares Emine Kaçiku i ishte ndërprerë mandati si kryesuese e PLK.