Këshilli Gjyqësor reagon ndaj përgjimeve ku pretendohet se dëgjohet gjyqtari Driton Muharremi

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka deklaruar se po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit lidhur me publikimet e përgjimeve nga media online “shqip.com” nga data 30 korrik 2021, rreth bisedave telefonike të regjistruara në mes të subjekteve të ndryshme, ku përfshihet edhe një anëtar i KGjK-së.

Sipas një komunikate për media, ky Këshill ka theksuar se në pajtueshmëri me përgjegjësitë ligjore që ka do të vazhdoj të përcjell situatën dhe do të veprojë sipas procedurave dhe afateve që përcaktohen me Rregulloren për Procedurën Disiplinore të anëtarëve të KGjK-së.

Në audioiniçizimet e publikuara pretendohet të jetë i përfshirë edhe anëtari i KGjK-së/gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Driton Muharremi.

KALLXO.com ka provuar të marr një qëndrim nga Muharremi për pretendimet në fjalë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Media online “Shqip.com” ka publikuar dy pjesë me audioinçizime të cilat pretendohet se janë përgjime të vitit të kaluar ndërsa në këto audioinçizime përmenden edhe dy mediume për të cilat tashmë ish-shefi i Inteligjencës Financiare Dardan Nuhiu, së bashku me një bashkëbisedues pretendojnë t’i blejnë për t’i shfrytëzuar më pas për shantazhe.

Që nga e premtja e javës së kaluar e deri më sot janë publikuar katër pjesë audioinçizime që pretendohet se janë përgjime të vitit të kaluar.

Në këto audioinçizime po pretendohet kapja e sistemit medial, zgjidhja e lëndëve në prokurori e gjykatë, si dhe ushtrimi apo ndikimi në lëndën e një personi të cilit ia kishin konfiskuar veturën.

Për këto zhvillime, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu do të mbajë konferencë për media sot nga ora 15:30.

Skandali me përgjimet – Flet pronari i ‘Indeksit’, Faton Shoshi