Këshilli Ekonomiko-Social që duhej të propozonte pagën minimale nuk është funksional, thotë njëri nga partnerët
Nga 1 tetori 2024, do të hyjë në fuqi vendimi që paga minimale në Kosovë të jetë 350 euro, apo dy euro për orë.
Kur dha këtë lajm gjatë mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Albin Kurti, tha se ky vendim vjen pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagën Minimale, i cili ishte proceduar në prill 2022 edhe pse atëherë ishte propozuar që të jetë 264 euro, megjithatë kaluan dy vite prej atëherë dhe se kjo shumë është e pamjaftueshme dhe e vjetërsuar.
Megjithatë, në plotësim-ndryshimin e ligjeve që përcaktojnë shumën minimale të publikuar më 23 gusht 2024 në Gazetë Zyrtare, shkruan se Qeveria e Kosovës në fund të çdo viti kalendarik përcakton pagën minimale sipas propozimit të Këshillit Ekonomiko-Social.
Në mungesë të një propozimi të tillë nga Këshilli Ekonomiko-Social, ministri përkatës për Financa, pas informimit të Këshillit Ekonomiko-Social, mund të parashtrojë një propozim të tillë për Qeverinë e Kosovës, shkruan në nenin për pagën minimale.
Edhe pse vlera u përcaktua sot më 28.08.2024, Atdhe Hykolli, i cili është kryetar i njërit nga anëtarët në Këshillin Ekonomiko-Social, gjegjësisht i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se nuk kanë dhënë propozim për këtë vlerë që është përcaktuar nga Qeveria.
Hykolli tha se diku që nga shkurti i vitit 2023 nuk janë mbajtur takime të Këshillit Ekonomiko-Social.
“Po (kanë propozuar kur Këshilli ka qenë funksional) kishte në kohën kur Këshilli Ekonomiko-Social ishte funksional. Dhe atëherë nuk u përfill propozimi i Këshillit Ekonomiko-Social”- tha Hykolli për KALLXO.com.
Hykolli thotë se edhe pse ligji e përcakton qartë rëndësinë që ka Këshili Ekonomiko-Social, po nuk ka funksionuar dhe nuk është duke funksionuar në mungesë të dialogut të mirëfilltë social i cili mbështetet fuqishëm në Këshillin Ekonomiko-Social i cili nuk është konstituar e është dashur.
“Dhe kur mungojnë mekanizmat institucional nuk mund të ketë propozim. Ne kemi ngritur dhe jemi vazhdimisht në veprim lidhur me pagën minimale dhe me të gjitha të tjerat në të mirë të ngritjes së mirëqenies ekonomiko-sociale të punësuarëve”- tha Hykolli.
Pa Këshillin Ekonomiko-Social nuk mund të ketë përcaktime të duhura në të mirë të mirëqenies ekonomiko sociale, tha ai për vlerën 350 euro e cila u përcaktua si pagë minimale.
Këshilli Ekonomiko-Social ka për qëllim të vendosjes dhe zhvillimit të dialogut social në Republikën e Kosovës për të punësuarit dhe punëdhënësit, për çështje të rëndësisë së veçantë, të cilat kanë të bëjnë me realizimin e të drejtave të tyre ekonomike, sociale dhe profesionale, që realizohen, përmes zgjidhjeve të kontesteve me marrëveshje dypalëshe apo trepalëshe.
Partnerët social në nivel nacional, të cilët në KES përfaqësohen nga: organizatat e të punësuarve (sindikatat); organizatat e punëdhënësve; dhe Qeveria e Kosovës.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se bashkë me Administratën Tatimore të Kosovës dhe me Inspektoratin e Punës do të sigurohen që ligji dhe vendimi për rritjen e pagës minimale të zbatohen.
Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar në qershor 2024 se Ligji për Pagën Minimale nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, duke i dhënë kështu të drejtë Qeverisë lidhur me këtë ligj.
Interpretimi rreth përputhshmërisë së këtij ligji me Kushtetutën është bërë me kërkesë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila më 21.07.2023 me pretendimin se Ligji i prezantuar nga Qeveria pa të drejtë largon kushtëzimin se pensioni i veteranëve të UÇK-së dhe pensionet e personave të verbër, paraplegjik dhe tetraplegjik të jenë të ndërlidhur me pagën minimale në vend.
Ndryshe, sot më 28.08.2024 Qeveria e Kosovës ka miruatuar projektligjin për pagën minimale.
Qeveria vendos që paga minimale të jetë 350 euro bruto në muaj