Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Këshilli Drejtues i UP-së reagon pas dorëheqjes së anëtares, thotë se nuk ishte koha e duhur

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka reaguar pas dorëheqjes së anëtares Laura Kryeziu-Selimi.

Këshilli përmes një njoftimi ka thënë se dorëheqja e saj nuk do të duhej ndodhur tani kur UP është në procesin zgjedhor në të gjitha nivelet.

“Aq më tepër, dorëheqja nuk do duhej të kishte ndodhur tani, kur UP-ja ka hyrë në procesin zgjedhor në të gjitha nivelet, përfshirë zgjedhjet studentore, ato për Këshillat e Fakulteteve dhe Senat, si dhe për Menaxhmentin e ri të UP-së”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, arsyet e dorëheqjes së saj nuk janë aspak të sinqerta.

“Andaj, për ne si KD, arsyet e dorëheqjes të paraqitura në shkresën e dërguar mediave dhe ministres së MASHTI-t, nuk mund ti konsiderojmë plotësisht të sinqerta, duke konsideruar faktin se e njëjta ka qenë edhe kryesuese dhe anëtare e këtij këshilli që nga viti 2018”, thuhet më tej.

Këshilli Drejtues po ashtu thotë se pavarësisht kësaj situate, dorëheqja nuk duhet të përdoret si shkas për të sulmuar Universitetin në një kontekst tjetër.

“ Pavarësisht kësaj, Këshilli Drejtues i UP-së inkurajon secilin që ka informacione për veprime të kundërligjshme të kujtdo qoftë brenda UP-së, të njëjtat t’i adresoj edhe në organet kompetente të hetuesisë”, vazhdon njoftimi.

Po ashtu KD ka bërë të ditur se pas mbledhjes së djeshme me rektorin Marjan Dema kanë marrë vendim që të bëjnë një auditim të brendshëm të jashtëzakonshëm.

“Sidoqoftë, shkresa e drejtuar për rektorin e UP-së ka të bëjë me pretendime për shkelje të bëra nga sekretari i UP-së në periudhën e kaluar, por, për shkak të kufizimit që të merremi me shkeljet e pretenduara, meqë përveç shkresës nuk posedojmë prova relevante të cilat argumentojnë atë që është thënë në atë letër, pastaj duke konsideruar faktin se KD nuk ka kompetencë për suspendimin apo shkarkimin eventual nga puna të personelit, duke e njohur gjendjen reale që mbizotëron në Universitet dhe me qëllim të krijimit të një opinioni sa më të pavarur rreth pretendimeve të ngritura, Këshilli Drejtues me sugjerimin edhe të rektori pret që në afatin sa më të shkurtër kohor, të zhvillohet një auditim i brendshëm i jashtëzakonshëm me qëllim të ofrimit të një vlerësimi të pavarur dhe të plotë për pretendimet e ngritura”, thuhet aty.

Më 20 shkurt, anëtarja e Këshillit Drejtues të UP-së, Laura Kryeziu Selimi ka ofruar dorëheqjen e saj nga kjo pozitë, duke listuar edhe një sërë shkeljesh që sipas saj janë bërë nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në letrën e saj drejtuar rektorit të UP-së, Marjan Demaj, ajo ia ka numëruar atij  kritikat drejt këtij institucioni.

“Përkundër disa arritjeve,  ky përvjetor jubilar nuk e gjeti Universitetin më të madh publik të Republikës së Kosovës në gjendjen për të cilën shumë gjenerata shpresuam dhe kontribuan. UP ballafaqohet me shumë sfida”, ka thënë ajo.

“Për më tepër, UP mbetet larg në përmirësimin e cilësisë karshi universiteteve konkurrente rajon, dhe jo vetëm. Gjatë shërbimit tim tanimë dy vjeçar në cilësinë e anëtares së KD-së si dhe të kryesueses kam qenë konsistente në qëndrimet, kërkesat dhe vendimet e mia karshi shumë parregullsive të evidentuara kryesisht në aspektin e menaxhimit të përgjithshëm të UP-së”, ka shtuar Kryeziu-Selimi.

Ajo ka thënë se problem themelor me të cilën ballafaqohet UP është mungesa e llogaridhënies, transparencës si dhe veprimet konkrete për të adresuar gjetjet, parregullsitë si dhe zbatimin e vendimeve të Këshillit Drejtues.

Ish-kryesuesja e Këshillit Drejtues të UP-së mbante pozitë me konflikt interesi

KALLXO.com kishte raportuar se anëtarja e KD të UP-së Laura Kryeziu-Selimi, mbante shumë pozita dhe për këtë  Agjencia Kundër Korrupsioni e kishte detyruar të heqë dorë nga disa.

Ish-kryesuesja e Këshillit Drejtues të UP-së mbante pozitë me konflikt interesi