Naim Berisha, Foto: Instituti Albanologjik i Prishtinës/Facebook
Këshilli Drejtues i Institutit Albanologjik të Prishtinës zgjodhi Naim Berishën u.d. të drejtorit të Institutit
Naim Berisha është zgjedhur ushtrues detyre i drejtorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës në mbledhjen e datës 20.09.2024 të Këshillit Drejtues të këtij Instituti.
Kështu ka bërë të ditur përmes një njoftimi në Facebook Instituti Albanologjik i Prishtinës.
Sipas njoftimit të Institutit Albanologjik, Berisha është bashkëpunëtor i lartë shkencor në këtë Institut nga viti 2008 në degën e gjuhësisë.
Ata kanë treguar po ashtu se çka ka shërbyer Berisha në Institutin Albanologjik.
Për katër vjet, në periudhën 01.09.2019 – 01.09.2023, Berisha ka qenë shef i degës së Gjuhësisë, ndërsa anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik nga data 01.11.2019 deri më 31.10.2023.
Kurse, anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit Albanologjik, Berisha ka qenë nga viti 2016 dhe vijon të jetë, njofton Instituti.
Instituti Albanologjik i Prishtinës për Berishën thotë se ka qenë edhe anëtar i këtyre Këshilleve: Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe që nga 21.02.2020, Këshillit Kombëtar Shkencor i Projektit “Gjuha Shqipe dhe Kompjuteri” (2020-2021); ai ka qenë po ashtu anëtar i redaksisë së revistës “Gjurmime Albanologjike” – numrat 49, 50, 51, 52, përgjegjës për kartotekën e leksikut në Kosovë te Fjalori i Madh i Gjuhës shqipe dhe hartues i këtij Fjalori.
“Fushat e tij të studimit janë: leksikologjia, leksikografia, dialektologjia, sociolinguistika, kultura e gjuhës etj.” – kanë thënë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës më 20.09.2024.
Tutje, Insituti Albanologjik i Prishtinës ka shtuar edhe përvojën e Berishës si asistent dhe ligjërues në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës dhe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prizrenit.
“Veprimtaria e tij shkencore dhe arsimore numëron 7 libra të botuar (botime shkencore, tekste shkollore); 75 njësi bibliografike – studime, trajtesa, artikuj, recensione etj” – kanë theksuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.
Para Berishës, Instituti Albanologjik i Prishtinës kishte drejtor Hysen Matoshin.