Këshillat e Mjekut: Çka është PRF tretmani dhe përse përdoret në fushën e kozmetikës?

Bukuria sot nuk është vetëm aspekt i dukjes por edhe aspekt i rëndësishëm i mënyrës se si ndjehen njerëzit. Të dukesh bukur do të thotë të aplikosh në lëkurë produkte dhe procedura të sigurta dhe të padëmshme.

Në botë sot është shumë e njohur metoda e PRF. Ky është një tretman që bëhet me derivate të gjakut tonë me përqendrim të ndryshëm të qelizave rigjeneruese, plazmës, fibrinës e të tjera.

Tretmani ka filluar të gjejë përdorim të gjerë edhe në vendin tonë në fushën e estetikës por  ka filluar edhe në stomatologji për shërim të plagëve  apo rigjenerim të indeve gjatë procedurave kirurgjike.

Tretmani kryhet duke e pasur për bazë injektimin nën lëkurë të fibrinës dhe qelizave regjeneruese që përfitohen nga vet gjaku.

Ajo çka bëjmë ne është që me centrifugimin e gjakut i ndajmë qelizat të cilat shërojnë plagët tona në kushte normale dhe ato në sasi të koncentruar i injektojmë në lëkurë me qellim të rigjenerimit të indit, parandalimit dhe trajtimit të simptomave të plakjes së lëkurës.

Lëkura është organ që përjeton plakje të dyfishtë  kjo sepse ndikojnë edhe agjentët e jashtëm si rrezatimi ultraviolet, radiacioni nga drita, diellit,ajri i ndotur etj.

Ky lloj tretmani ofrohet për të dyja gjinitë pa përjashtim, pasi që efektet metabolike fillojnë të mbizotërojnë ato anabolike qysh në moshën 25 vjeçare tretmani mund të aplikohen qysh prej kësaj moshe.

Ky tretman ka për qëllim rritjen e prodhimit të kolagjenit dhe fijeve elastine, lëkurë më e shkëlqyeshme, zvogëlim i poreve, eliminim i rrudhave të imëta, përmirësim i rrudhave të thella, ekuilibrim i shpërndarjes së pigmenteve, rivaskularizim i lëkurës, përmirësim i gjendjes së indit dhjamor nënlëkuror, përmirësim i numrit të fijeve dhe kualitetit të fijeve të flokëve dhe vetullave.

Nga ana tjetër efektet anësore pas aplikimit janë minimale, mund të ndodhë ndonjë hematomë në vendin e injektimit pasi që produkti që injektohet është totalisht natyral dhe diçka që nuk paraqet asnjë rrezik për alergji apo toksicitet.

Në fund të trajtimit bëhet aplikimi i kremit me peptide apo maskën me acid hialuronik dhe vitamina.

 

Autorja Dr.Zana Nila Muhaxheri