Vala Pupovci- Dietologe

Këshillat e Dietologes se si të ushqehemi gjatë karantinës

Mënyra e shëndetshme e të ushqyerit dhe aktiviteti fizik janë shumë të rëndësishme përgjatë kohës sa qëndrojmë në karantinë për shkak të virusit COVID-19 thotë në një intervistë për KALLXO.com dietologia Vala Pupovci.

“Të ushqyerit në karantinë duhet të jetë i shëndetshëm ashtu si duhet të jetë edhe gjatë jetës tonë të përditshme”, thotë ajo.

Sipas saj, deri më tash nuk ka ndonjë studim që e parandalon marrjen e COVID-19 përmes ushqimit.

“Deri më tash nuk ka ushqime apo nutrient që e luftojnë virusin, hudhra e qepa mund të na ndihmojnë me infeksione të ndryshme po ende nuk ka ndonjë studim rreth ushqimeve dhe COVID-19”, ka shtuar më tej ajo.

Pupovci më tej ka thënë se gjatë kohës sa jemi në karantinë duhet të evitohen brumërat dhe ëmbëlsirat si dhe ushqimet e procesuara.

“Qipsat, çokollatat, ëmbëlsirat e ndryshme, pijet e gazuara ose pijet me sheqer të shtuar, janë disa ushqime që nuk janë të mira të konsumohen sidomos gjatë kohës sa jemi në karantinë”, ka vazhduar më tej ajo.

Ndërsa për personat që kanë probleme shëndetësore, Pupovci ka thënë se ata nuk duhet të konsumojnë ushqime me sasi të lartë të yndyrës shtazore

“Mishi i kuq, mishi i procesuar- suxhuku, proshuta, virshllet, pashtetat, produktet e qumështit me shumë yndyrë janë të dëmshme për personat që veç kanë probleme shëndetësore pasi po shihet se këta persona po kanë probleme me luftimin e pandemisë”, vazhdon më tej ajo.

Pupovci ka shtuar se duhet të konsumojmë më shumë ushqime të freskëta, fruta e perime pasi na ndihmojnë në forcimin e imunitetit.

“Pasi shumica e tregjeve janë të mbyllura mund të konsumohen edhe perimet dhe frutat e ngrira, të cilët kanë vlera të njëjta të nutrientëve, të përdoren ushqime me fibra, drithëra integrale, pastat e orizi ngjyrë kafe, buka e zezë, misri, thekra, fasulet dhe ushqimet e pasura me proteina siç janë mishi i pulës dhe ai i peshkut, arrat edhe farat e ndryshme”, sipas Pupovcit do të ndihmojnë që të mos shtojmë shumë në peshë gjatë kohës kur aktiviteti fizik është i mangët.

Ndërsa rreth ushqimeve me anë të të cilave ne mund të pasurohemi me vitamina gjatë kohës kur qëndrimi jashtë dhe aktivitetet fizike janë të mëngta, Pupovci ka thënë se Vitamina D mund të merret nga peshku, e verdha e vezës, disa lloje të kërpudhave, gjalpë, dhe gjithashtu sipas saj kjo vitaminë mund të merret si supliment dhe gjithashtu të ekspozohemi në diell diku për 15 minuta gjatë ditës.

“Personat e moshës mbi 60 vjet e kanë të vështirë që ta sintetizojnë vitaminën D, dhe duhet ta marrin si supliment”, ka shtuar ajo.

Rreth marrjes së vitaminës C, Pupovci ka thënë se ajo mund të merret me anë të konsumimit të ushqimeve si portokalli, limoni, speci, brokoli, të cilat ushqime, sipas saj duhet të jenë vazhdimisht pjesë e dietës sonë.

Pupovci rreth ushqimeve të cilat mund t’i marrin gjatë kohë së karantinës ka thënë se ato duhet të jenë të shëndetshme dhe jo të jenë në sasi të mëdha, ndërsa për aktivitetet fizike ajo ka thënë se duhet ta shfrytëzojmë 90 minutëshin tonë që të bëjmë aktivitete të llojeve të ndryshme, të mos përdorim lëngje me sheqer dhe të konsumojmë më shumë ujë.

Si të ushqehemi gjatë karantinës – Flet Vala Pupovci

Si të ushqehemi gjatë karantinës – Flet Vala Pupovci

Publiée par Gazeta Jeta në Kosovë sur Jeudi 16 avril 2020