Këshilla për qytetarët e Kosovës si të mbrohen nga tërmetet

Agjencia e Emergjencave ka publikuar një udhëzues se si qytetarët mund të mbrohen nga tërmetet.

Udhëzuesi i cili përmban disa hapa ka këshilla konkrete për qytetarët e Kosovës.

Vendi ynë sipas Shemsi Mustafës, udhëheqës i sektorit të Gjeofizikës dhe Gjeologjisë Inxhinierike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Kosova bën pjesë në listën e vendeve me aktivitet sizmik relativisht të lartë.

Për të qenë sa më të përgatitur për tërmetet Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave të Kosovës ka disa këshilla.

Nëse ndodheni brenda gjatë kohës sa ndodh një tërmet, atëherë duhet të qëndroni aty. Kjo sepse pjesa më e madhe e plagosjeve gjatë një tërmeti ndodhin kur njerëzit preken nga objekte që bien nga lëkundjet, në momentin e daljes apo hyrjes në ndërtesa.

Për të qenë më të sigurt duhet të përkuleni për tokë dhe të mbroheni nën një tavolinë, ose objekt tjetër të fortë. Nëse është e nevojshme duhet të lëvizësh bashkë me të.

Në qoftë se pranë teje nuk ka tavolinë, atëherë duhet mbuluar fytyra dhe koka me krahë. Përkuluni dhe mbështetuni në një mur të brendshëm mbajtës.

Qëndroni nën kornizën e një dere të gjerë e të fortë.

Nëse ndodheni në kuzhinë, duhet të largoheni nga frigoriferi, sobat, oxhaku apo dollapët dhe dritaret, të cilat mund të bien dhe t’ju dëmtojnë.

Nëse ndodheni jashtë duhet të zhvendoseni në një ambient të hapur, larg pemëve, tabelave ndërtesave, telave elektrikë apo të telefonit.

Nëse ndodheni në një ambient publik, për shembull në një supermarket të mbyllur, ku ka njerëz, ruani gjakftohtësinë dhe mos vraponi për të dalë. Qëndroni larg nga raftet dhe sendet.

-Nëse jeni duke vozitur, pa u nxituar qëndroni në një krah të rrugës. Duhet të shmangni qëndrimin nën ura, mbikalime, pemë, shtylla apo tabela drejtuese. Qëndroni derisa lëkundjet të përfundojnë.

Si të jemi të përgatitur para një tërmeti?

Për të qenë më të përgatitur kur të ndodh një tërmet ju duhet t’i mësoni disa gjëra.

Mësoni se si të jepni ndihmën e parë dhe si të ndihmoni të moshuarit e invalidët. Për të mësuar këto, kontaktoni Kryqin e Kuq të Kosovës.

Mësoni si të kërkoni ndihmë për emergjenca ekstreme dhe si të fikni zjarre. Për të mësuar këto, kontaktoni Zjarrfikësit dhe Urgjencën.

Mësoni si të shpëtoni njerëz të bllokuar nën rrënoja. Për të mësuar këtë, kontaktoni bazën e mbrojtjes civile dhe zjarrfikësit.

Për të lajmëruar për fatkeqësinë, duhet të prezantoheni, të flisni qartë për ngjarjen, të tregoni saktë vendin e ngjarjes, të tregoni numrin  e telefonit prej nga po bëni thirrjen dhe të mos e ndërpreni lidhjen pa e dhënë informacionin e plotë.

Numrat me rëndësi në raste emergjente janë: zjarrfikësit 193, policia 192 dhe qendra regjionale e alarmimit 112.

Në pajisjet rezervë të urgjencës duhet të keni bombol gazi për fikje të zjarrit, disa lloje ilaçesh qetësuese dhe të domosdoshme për ju, familjen apo shoëkt tuaj, kutinë e ndihmës së shpejtë, ujë për çdo pjesëtar të familjes për të paktën tri ditë. Po ashtu duhet të keni edhe celësa për bylljen e shpërndarësve të gazit dhe të ujit.

Kryqi i Kuq përpiqet të lehtësojë vuajtjet vuajtjet e njerëzve përmes programeve të fokusuara, prioritare dhe të qëndrueshme si ndihmëse e autoriteteve qendrore dhe lokale.

Siguroni vendin ku jetoni dhe punoni. Ky sigurim bëhet duke përgatitur vendet në atë mënyrë që të gjithë orenditë si pikturat, raftet, bibliotekat e librave të jenë të fiksuara mirë në mure dhe orenditë e tjera të jenë të vendosura përgjatë tyre. Kjo do të ju ndihmojë që të lëvizni më lehtë në këto ambiente në raste tërmeti.

Përcaktoni vendet më të rrezikshme në secilin ambient. Duhet të dini se cilat objekte mund të bien nga lëkundjet.

Përcaktoni vendin më të sigurt në shtëpi, në shkollë dhe në vendin e punës larg prej objekteve të rënda, instalimeve elektrike, kaldajave apo furrave, apo bibliotekave të hapura.

Përgatitni një plan dhe zgjidhni një vend të sigurt jashtë shtëpisë, shkollës, vendit të punës apo brenda të tyre, në vende të siguruara më parë, në të cilin mund të takoheni me të tjerët, pas tërmetit.

Mësoni vendin e çelësave qendror të energjisë elektrike, ujit dhe rubinetin e gazit dhe si mbyllen ato.

Çka duhet të bëni pas tërmetit?

Sipas Agjencisë së Emergjencave të Kosovës, ju jeni në gjendje të kujdeseni për të tjerët vetëm në rast se nuk je plagosur gjatë tërmetit, apo pasi keni marrë ndihmën e parë.

Nuk duhet t’i lëvizni nga vendi personat e plagosur, përveç se në rast kur ata janë në rrezik për t’u dëmtuar më rëndë.

Ju duhet të qëndroni larg oxhaqeve dhe sobave me korrent ose me gaz.

Mbyllni rubinetin kryesor të gazit nëse mendoni se mund të ketë rrjedhje apo e dalloni një erë të atillë.

Mbyllni celësat kryesor të energjisë elektrike, qëndroni larg tyre edhe në rastet kur duket sikur nuk ka rrymë.

Pastroni materialet e rrezikshme apo ilaçet që mund të jenë shpërndarë gjatë lëkundjeve.

Nëse ndodheni të bllokuar në një ndërtesë ngjituni në kiatin më të lartë të mundshëm dhe kërkoni ndihmë.

Nëse jeni i bllokuar, qëndroni pa lëvizur dhe skuadrat e kërkim shpëtimit dhe zjarrfikësit do ju gjejnë.

Pritni lëkundjet e tjera pas goditjes kryesore. Përdorni fener me bateri apo elektrik dore, mos përdorni shkrepës, çakmak, qirinj deri sa të siguroheni që nuk ka rrjedhje gazi.

Përdorni radio me bateri për t’u in formuar rreth situatës. Mos bllokoni rrugët dhe ambientet e tjera, për të mundësuar kalimin me lehtësi të mjeteve të urgjencës. Bashkëpunoni me punonjësit e rendit.

Bashkohuni me skuadrat e shpëtimit dhe ndiqni urdhrat e tyre. Ndihmoni vullnetarisht brigadat e zjarrfikësve, skuadrat e kërkim shpëtimit apo organizatat humanitare.