Këshilla nga mjeku: Si të mbrohemi nga temperaturat e larta?

Temperaturat e larta që kanë përfshirë Kosovën tash e sa ditë mund të kenë ndikim negativt te qytetarët.

Temperatura prej 37 gradë celsius po konsiderohet e rrezikshme nga laboranti Behram Bajra.

Bajra për KALLXO.com tha se qytetarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm gjatë këtyre ditëve e sidomos ata që punojnë jashtë. 

“Ditëve të fundit, vapa është e jashtëzakonshme, kjo edhe sipas meteorologëve pasi i nxehti ka ardhur nga Afrika dhe ka sjellë me vete edhe pluhurin e Saharës që janë dy faktorë që vështirësojnë jetën e qytetarëve. Qytetarët me sëmundje kronike por edhe ata pa sëmundje është vështirë me i përballu këto temperatura”, tha ai.

Ai theksoi se qytetarët duhet të shmangin daljet jashtë dhe të pijnë ujë vazhdimisht.

“Qytetarët duhet të evitojnë daljet e tyre jashtë sidomos në orët e mesditës. Ata duhet të konsumojnë ushqime të lehta dhe të marrin sasi të mjaftueshme të ujit dhe lëngjeve”, shtoi Bajra.

Bajra porosit të gjithë qytetarët e në veçanti ata të sektorit të ndërtimtarisë që të kenë kujdes gjatë këtyre ditëve,

Laboranti Behram Bajra tha për KALLXO.com se nga temperaturat e larta qytetarët do të mund të pësojnë të ashtuquajturën “goditje nga vapa”.

“Personat që lëvizin mund të kenë çrregullime prej më të voglave deri te goditja e vapës. Ata mund të ndihen keq, të dehidratuar apo t’i humbin lëngjet ndërsa me e keqja është goditja prej vapës”, tha ai për KALLXO.com.

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka rekomanduar qytetarët që gjatë ditëve me temperatura të larta të evitojnë daljet jashtë.

Instituti i Shëndetit Publik jep këshilla se si të kujdesemi në temperatura të larta