Këshilla nga Ministria e Bujqësisë se si të ruhen frutat gjatë sezonit të dimrit

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka këshilluar pemëtarët se si t’i ruajnë frutat gjatë sezonit të dimrit.

Pasi faza e vjeljes së pemëve është duke mbaruar, Ministria këshillon që frutat duhet të ruhen në temperaturë në mes -1 me 0 gradë Celsius, varësisht nga lloji i kulturës dhe nëse dëshirohet që ato të ruhen për një periudhë më të gjatë.

Sipas Ministrisë, për ruajtjen e pemëve për një kohë më të gjatë duhet të merren në konsideratë disa elementë të rëndësishëm si: temperatura, lagështia relative e ajrit, fruta të shëndosha dhe mbrojtja e tyre nga sëmundjet.

“Shumica e kultivuesve do të ruajnë frutat për gjashtë muaj në këtë temperaturë. Gjithashtu, lagështia e ajrit në frigorifer duhet të jetë 90-95% dhe kjo mund të arrihet me aparatura që prodhojnë avuj uji në mënyrë të përhershme. Në mungesë të tyre, duhet të bëhet lagia e vazhdueshme e dyshemesë së frigoriferit me ujë. Në të kundërtën, frutat do të vyshken dhe do të humbin në peshë ”, thuhet në postim e Ministrisë në Facebook.