KESCO shpjegon faturat e dërguara tek konsumatorët

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike në një njoftim kanë bërë shpjegime lidhur me faturat e fundit që janë dërguar te konsumatorët.

Në këtë njoftim është treguar se nga 18 shkurti i këtij viti KESCO ka filluar me leximin e rregullt të gjendjes së konsumit për muajin shkurt dhe, sipas tyre, respektivisht dërgimin e faturave të reja.

Tutje është treguar se shpenzimi i energjisë me tarifat e reja ka filluar që të llogaritet nga data 9 shkurt, ndërsa deri në këtë datë llogaritja e shpenzimeve është bërë me çmimin e vjetër.

Sipas KESCO dizajni i faturës është aprovuar nga ZRRE dhe se i është përshtatur nevojave të faturimit sipas ndryshimeve të strukturës së re tarifore.

“Kalkulimet sipas blloqeve, paraqiten sipas leximit të rregullt dhe strukturës së re të aprovuar. Gjithashtu, konsumatorët në rubrikën “Neto” e kanë të paraqitur shpenzimin total. Megjithatë, për shkak se tarifat e reja kanë hyrë në fuqi më datën 9 shkurt dhe pjesa e shpenzuar para datës 9 shkurt llogaritet me tarifat e vjetra, në rubrikën “Totali i faturës” paraqitet obligimi që konsumatorët e kanë për pagesë dhe e njëjta është më e ulët sesa vlera e paraqitur te rubrika ‘Neto’”, është shpjeguar në njoftim.

Tutje është treguar se diferenca në mes “Neto” dhe “Totali i faturës” është si rezultat i llogaritjes së konsumit me tarifa të vjetra para datës 9 shkurt dhe njehsimit nga zero i bllokut nga data 9 shkurt pavarësisht shpenzimit që konsumatorët kanë bërë deri më datën 9 shkurt.

“Kjo diferencë është shpjeguar në pjesën e poshtme të faturës, në formë tekstuale (të shkruar), përfshirë edhe ditët për të cilat janë aplikuar tarifat e vjetra”, shpjegon KESCO.

Po ashtu, është njoftuar se në faturat e ardhshme, sipas KESCO, llogaritja do të jetë shumë më e thjeshtë, kjo pasi i tërë muaji do të bëhet sipas tarifave të reja, vlerat ndërmjet rubrikave ‘Neto+TVSh’ dhe ‘Totali i faturës’ do të jenë të barabarta.

KESCO ka thënë se për ta bërë sa më të lehtë leximin e faturës dhe logjikën e kalkulimit, në faqen zyrtarë të tyren është integruar forma e kalkulimit ku konsumatori do të vendos të dhënat, me ç’rast do t’i gjenerohet kalkulimi në detaje i faturës së fundit duke përfshirë ndarjen e kilovatëve para dhe pas 9 shkurtit, kalkulimi i secilit kilovatë me çmimin përkatës, si dhe shuma e kilovatëve të faturuar në bllokun me tarifa të ngritura.

Këtë formë të kalkulimit, mund ta gjeni KËTU.