Ilustrim

KESCO: Rritet 100% çmimi i energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka njoftuar se në tregjet ndërkombëtare, ku ka qasje Kosova, rryma është shtrenjtuar për 100 për qind.

Sipas KESCO-s, kjo situatë është krijuar pas agresionit rus kundër Ukrainës.

Përderisa në muajin shkurt, para sulmit rus në Ukrainë, çmimi për megavat energji në kohën e pikut ka qenë 250 euro, tani sillet në afro 500 euro.

“Bazuar në bursën hungareze HUPX, që është referente edhe për importin e energjisë elektrike në Kosovë, gjatë muajit shkurt, para sulmit rus, çmimi ka qenë rreth 250 euro për megavat për energji elektrike në kohën e pikut, të cilën kryesisht e blen Kosova, ndërkaq tani çmimi mesatar sillet afro 500 euro për megavat”, thuhet në njoftimin e KESCO.

Për shkak të kësaj situate dhe pas uljes së temperaturave në Kosovë, kur konsumi rritet, KESCO ka bërë thirrje që të kursehet rryma.