Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KESCO kërkon nga qytetarët ta kursejnë energjinë elektrike

Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) kërkon nga qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike.

Sipas tyre, duke vepruar kështu secili do t’i ndihmonte sistemit elektroenergjetik në Kosovë që ta përballojë sa më lehtë këtë situatë.

“Prandaj, në këto rrethana kursimi i energjisë elektrike dhe shfrytëzimi racional i saj nga të gjithë konsumatorët është i mirëseardhur. Duke vepruar kështu, secili do t’i ndihmonte jashtëzakonisht shumë sistemit elektroenergjetik në Kosovë që ta përballojë sa më lehtë këtë situatë të krijuar”, thuhet në njoftim.

KESCO njofton se tani në Kosovë përkeqësimi i motit ka bërë që të rritet kërkesa për konsum të energjisë elektrike dhe prandaj duhet të importohet sasi e nevojshme nga jashtë.

“Çdo rritje e kërkesës në këto rrethana, pra secili megavat që i shtohet sistemit, duhet të sigurohet nga importi i energjisë elektrike, që me çmimet aktuale është shumë i pafavorshëm, edhe kur krahasohet me dy muajt e parë të këtij viti, kur u shënua një rënie e çmimeve”, thuhet më tutje.

Sipas KESCO-s ky kursim është jetik të ndodhë gjatë ditëve të ardhshme pasi priten temperatura të ulëta.

“Përderisa pas disa javësh me kalimin e dimrit rriten temperaturat dhe zvogëlohet konsumi i energjisë elektrike, dhe ka mundësi të mbulohet edhe nga prodhimi vendor”, thuhet ndër të tjera.