KESCO: Faturat e rrymës për muajin mars do të njehsohen plotësisht me tarifa të reja

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka njoftuar se faturat e muajit mars do të njehsohen plotësisht me tarifa të reja, në bazë të vendimit të marrë nga ZRRE.

Në bazë të vendimit të ZRRE-së, konsumi do të ndahet në dy blloqe, 0-800kWh dhe më i lartë se 800kWh, dhe në dy intervale ditore, ditë e natë, të dhëna këto që do të paraqiten në faturën në katër rubrika.

Pra, konsumi në bllokun e parë deri në 800 kilovat do të faturohet me të njëjtat tarifa, ndërsa konsumi mbi 800 kilovat do të faturohet me tarifa të reja.

Nëse një konsumator ka shpenzuar gjithsej 900 kilovat, atëherë ai do të paguajë 800 kilovat me bllokun e parë, ku çmimet janë të pandryshuara dhe 100 kilovat me tarifën e lartë, të dyja të ndara edhe brenda konsumit ditë/natë.

Në faturën e konsumatorit do të shënohet përllogaritja e parë me A1/B1, që përfaqëson tarifën e lartë, në bllokun deri në 800 kilovat.

Pra, do të llogariten aq sa ka shpenzuar kryesisht gjatë ditës, që në stinën e dimrit është nga ora 7:00 e mëngjesit deri në orën 22:00. Ndërsa shpenzimet e bëra nga konsumatorët pas orës 22:00 deri në orën 7:00 paraqiten me kodin A2/B1.

Konsumi nga 801kWh e tutje në tarifën e lartë, shembull gjatë ditës do të shënohet me A1/B2, ndërsa konsumi në tarifën e ulët shënohet me kodin A2/B2. Pas procesit të leximit, konsumi për bllok do të llogaritet me çmimet përkatëse. Fatura përfundimtare do të kalkulohet duke shtuar edhe tarifën fikse, që për konsumatorët e amvisërisë është 1.74 euro dhe TVSH-në në shumën 8 për qind.

Bazuar në rezultatet e parashikuara, mbi 78 për qind e konsumatorëve nuk do të preken fare nga rritja e tarifave. Kjo, pasi kanë shpenzim më të vogël mujor se bllok-tarifa.

Për ta bërë më të lehtë leximin e faturës dhe mënyrën e llogaritjes, ne kemi integruar në faqen e KESCO-s një faturë me të gjitha shpjegimet e nevojshme në formë vizuale, që mund ta gjeni KËTU: https://www.kesco-energy.com/calculator.html