Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KESCO do të aplikojë te konsumatorët tarifat paraprake deri në vendimin e ZRrE-së

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka vendosur që të aplikojë tarifat paraprake, pra tarifat që ishin në fuqi para datës 8 shkurt.

KESCO ka thënë në një njoftim se ditëve në vijim do të fillojë procesi i leximit të shpenzimeve dhe dërgimi i faturave te konsumatorët.

Mirëpo, për të qartësuar situatën e krijuar pas vendimit të Gjykatës së Apelit, përkatësisht vendimit të Rregullatorit të datës 20 maj për pezullimin e tarifave të datës 8 shkurt 2022, KESCO ka kërkuar sqarime shtesë nga ZRrE-ja lidhur me interpretimin e vendimit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të ZRrE-së për Tarifat e Energjisë Elektrike të marrë më 8 shkurt 2022, si dhe ka kërkuar udhëzime se cilat tarifa janë në fuqi, përkatësisht si të vazhdohet me procesin e leximit të njehsorëve dhe faturimin e konsumatorëve.

“Për të shmangur këtë situatë që ndërlidhet drejtpërsëdrejti me sigurinë e furnizimit me energji elektrike në vend, dhe deri në vendimin e ardhshëm të ZRrE-së si institucioni përgjegjës për aprovimin e tarifave fundore, KESCO i ka propozuar ZRrE-së që të aplikohet vendimi paraprak i ZRrE-së, përkatësisht i datës 27 tetor për tarifat e energjisë elektrike që ishin të aplikueshme deri më datën 8 shkurt 2022”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këtë, KESCO ja thënë se nuk ka pranuar ende përgjigje dhe udhëzimet e nevojshme nga Rregullatori, dhe në anën tjetër duke qenë në prag të leximit të shpenzimeve dhe faturimit, KESCO thotë se është gjendur para një situate jo të lehtë, deri në vendimin e ardhshëm të ZRrE-së, dhe ka vendosur që të aplikojë tarifat paraprake, pra tarifat që ishin në fuqi para datës 8 shkurt.

“Duke shpresuar që kjo situatë e vështirësuar do të gjejë zgjidhjen më të mirë, ne sigurojmë konsumatorët se nuk do të dëmtohen asesi nga ky proces dhe varësisht nga vendimi final që do të pranojmë nga  ZRrE-ja, si institucion përgjegjës, KESCO do të zbatojë të gjitha përshtatjet e nevojshme”, thuhet në njoftim.

Shtrenjtimi i rrymës, Gjykata Supreme vendos të favor të ZRRE-së