Kërkohet urdhër arrest ndërkombëtar kundër dy personave për krime lufte në Kosovë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë kërkesë për lëshimin e urdhër arrestit ndërkombëtar kundër dy personave që akuzohen për Krime lufte në Kosovë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës ata kërkohen për  krime të luftës kundër popullatës civile apo krime kundër njerëzimit.

Fillimi i lëshimit të urdhër arresteve ndërkombëtare nënkupton faktin se organet ndjekëse janë të gatshme të fillojnë plotësimin e kritereve ligjore për gjykimin në mungesë.

Gjykimi në mungesë për të akuzuarit e krimeve të luftës është lejuar me ndryshimet e kodit të procedurës penale gjatë vitit 2019.

Ato lejohen në rastet kur plotësohen kriteret e vendosura në ligj pasi paraprakisht duhet të shfrytëzohet çdo mundësi që të sigurohet prania e të akuzuarit në gjykim.

Një i akuzuar për kime të luftës mund të gjykohet në mungesë në Kosovë vetëm pasi që i akuzuari të kërkohet së paku pesë herë në shtetin ku besohet se ndodhet dhe pasi që të jetë shfrytëzuar çdo bashkëpunim i mundshëm ndërkombëtar.

Pas plotësimit të këtyre dy kushteve ai duhet të jetë shpallur në kërkim edhe së paku gjashtë muaj në mjetet e informimit publik në Kosovë.

Në Kosovë që nga koha kur gjykimi në mungesë është lejuar me ligj, akoma nuk është zhvilluar ndonjë procedurë gjyqësore në mungesë të të pandehurve.