FOTO: rtv21.tv

Kërkohet të ketë më shumë gra në tryezën e dialogut Kosovë-Serbi

Në tryezën e dialogut Kosovë – Serbi duhet të ketë më shumë gra dhe ka ardhur koha që kjo të adresohet. Kështu u tha në tryezën “Gruaja në tryezën negociuese në Kosovë”, ku u kërkua që të ketë më shumë gra.

Shefi i Seksionit Ligjor, Sundimi i Ligjit dhe të Drejtat e Njeriut, Jarmo Helppikangas tha se barazia gjinore është proces, ku duhet çdo ditë të punohet.

Ai theksoi rëndësinë e inkuadrimit të grave në dialogun Kosovë – Serbi.

“Ne duhet ta marrim parasysh këtë, kërkohet punë e madhe për një baraspeshë të vërtetë për pozitën në shoqëri. Kosova ka bërë shumë punë të mirë me legjislacionin, kemi Ligjin për Barazinë Gjinore, nëse e lexoni Kushtetutën e shihni, por ajo çka potencojmë çdo herë është implementimi. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi derisa të ketë implementim të plotë e të mos mbesin në letër, sepse implementimi është ajo që duam të shohim se po ndodh çdo ditë konkretisht në jetën publike, që personat që meritojnë të jenë në pozitat përkatëse. Besojmë se qeveria do të kryejë punën e vet të shtëpisë. Në fund, ne dialogun Kosovë-Serbi nuk kemi parë shumë gra. Kjo është diçka që ne mendojmë se mungon. Duhet të ketë më shumë gra. Ne kontribuojmë këtu”, tha ai.

Përfaqësuesja Speciale e Bashkimit Evropian në Kosovë, Reyes Charle Cuellar, tha se Kosova është në rrugë të mbarë sa i përket integrimit të gruas në shoqëri dhe ka një shoqëri civile të organizuar mirë.

“Sa i përket pjesëmarrjes së grave në jetën publike, nuk mund të nxjerrë nga mendja situatën në Afganistan. Nuk jam e vetmja që ndjej nevojën të diskutojë për gjendjen në Kosovë dhe gjetiu. Situata atje është shumë e rëndë. Diçka që gjithmonë është dëshmuar është sinqeriteti që gratë ta gjejnë veten. Asistenca e organizatave është e çmueshme. Lidhur me këtë, Kosova është në hap të mbarë. Kosova ka një shoqëri civile të organizuar mirë, ka gjithashtu edhe gra ndërmarrëse, shkencëtare, punëtore të shëndetësisë, aktorë, sportiste, është e qartë që fara është aty, është mbjellë, është rritur dhe është kultivu. Ne shpresojmë që organizime si këto nxisin edhe më shumë përparimin e grave”, tha ajo. rtv21