Kërkohet të caktohet masë e sigurisë nga Gjykata për objektin 44-katësh në Prishtinë

Në vitin 2009 Naim Berisha dhe Azem Salihu vendosën t’i bashkojnë mjetet e tyre me kompaninë “ENK Invest Group SH.A”, e cila kishte filluar ndërtimin e objektit që në atë kohë flitej që do ishte mbi 40 kate.

Objekti në fjalë, që gjendet në lagjen “Pejton” të Prishtinës, ende nuk ka përfunduar.

Naim Berisha ka paguar shumën e mjeteve prej 652 mijë  euro në xhirollogarinë e kompanisë ndërtuese por aksionarët e rinj të kompanisë nuk po pranojnë t’ia japin lokalet sipas metrave katrorë që Berisha ka paguar.

Berisha ka treguar për emisionin “Kallxo Përnime” se në vitin 2009 ka paguar mjetet dhe sipas kontratës në vitin 2014 do duhej të merrte në posedim lokalet.

Pasi që palët nuk kanë mundur t’i marrin lokalet e tyre ata i janë drejtuar gjykatës me padi.

Azem Salihu që kishte bërë padi në vitin 2016 ende nuk e ka kryer rastin në Gjykatë. Ai këtë rast e kishte fituar një herë në shkallën e parë te gjyqtari Asllan Krasniqi por rasti kishte shkuar në Gjykatën e Apelit me ankesën e përfaqësuesit të autorizuar të ENK-së dhe aktgjykimi ishte prishur dhe rasti ishte kthyer te gjyqtari Bajram Miftari, i cili është duke u gjykuar.

Për dallim nga Salihu, Naim Berisha rastin e kishte humbur në shkallën e parë te gjyqtari Bajram Miftari.

Kundër këtij vendimi, i njëjti ka ushtruar ankesë në Gjykatë të Apelit dhe bashkë me të edhe kërkesën për caktim të masës së sigurisë.

Në seancën dëgjimore sot,  i përfaqësuar nga avokati Selim Nikqi, ka kërkuar që të caktohet kjo masë e sigurisë për nivelin e dytë të objektit me arsyetimin se pa të njëjtën do të vështirësohet realizimi i kërkesës së padisë nga ana e tyre.

“Në mënyrë të mjaftueshme argumentohet ekzistimi i rrezikut se pa caktimin e masës së sigurimit do të pamundësohej apo do të vështirësohej dukshëm realizimi i kërkesës së padisë, faktet e mësipërme argumentojnë se në këtë rast janë plotësuar kumulativisht të dyja kushtet e parapara me ligj” – tha avokati Selim Nikqi që përfaqëson palën paditëse.

Në anën tjetër, Virtyt Ibrahimaga, avokati që përfaqëson ENK Invest Group, apo sic njihet Prishtina City Centre, kundërshtoi këtë kërkesë të palës kundërshtare, me arsyen se e kundërshton në tërësi legjitimitetin aktiv të palës që ka propozuar caktimin e masës.

“Kundërshtari i propozimit e ka kundërshtuar legjitimitetin aktiv  të propozuesit, ku pala në procedurë është shuar, dhe për këtë mund të informoheni në faqen e ARBK-së” – tha avokati Virtyt Ibrahimaga.

Këtë pretendim të avokatit Ibrahimaga e kundërshtoi avokati Nikqi,  i cili paraqiti provë se vetëm ka ndërruar tipin e subjektit dhe nuk është shuar në tërësi biznesi.

“Nuk kemi të bëjmë me shuarje të propozues por vetëm ndërrim të tipit të subjektit dhe argumentohet me certifikatën e regjistrimit” – tha avokati Nikqi.

Gjyqtarja e rastit njoftoi se kjo seancë e mbajtur është thjeshtë seancë dëgjimore ku do të tregohen pretendimet e palëve dhe nuk do të hyhet në administrim të provave.

Dy biznesmenë nga Prishtina blenë lokale në ndërtesën shumëkatëshe që po ndërtohet në qendër të Prishtinës.

Kontratat ishin nënshkruar me një kompani që udhëhiqej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, ndërsa investitori i ri që bleu aksionet nuk pranon t’i ofrojë lokalet e kontraktuara mirëpo pretendon se mund t’ua kthejë paratë biznesmenëve.

Të dhënat na tregojnë që kontesti për këta biznesmenë është duke u endur në gjykatat e vendit për më shumë se katër vite ndërsa çështja është gjykuar me standarde të ndryshme në dy situata.

Kur Gjykata e Prishtinës gjykoi çështjen e biznesmenit Salihu atij iu dha të drejtë. Çështja u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Një dosje e ngjashme për biznesmenin Berisha u gjykua ndryshe nga Gjykata e Prishtinës, e cila nuk i dha të drejtë këtij të fundit. Çështja është në Gjykatën e Apelit.

Hulumtim: Paguan paratë por nuk i morën lokalet në ndërtesën shumëkatëshe në Prishtinë

www.kallxo.com