Kërkohet rinumërim i votave të 6 tetorit

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe koaliconi NISMA-AKR-PD kanë paraqitur një ankesë në PZAP, sa i përket numërimit të votave të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Kryesuesi i Sekretariatit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mulë Desku tha për KALLXO.com se kanë pranuar ankesë nga këto parti se në formularët e regjistrimit të rezultateve ka pasur parregullsi.

Por ai nuk ka mundur ta interpretojë ankesën e tyre si kërkesë për rinumërim të fletëvotimeve.

“S’kanë kërkuar rinumërim por Nisma, PDK dhe LDK kanë paraqitur ankesë se në formularët për regjistrimin e rezultateve të subjekteve politike, janë regjistruar për partitë e tjera politike, nuk mund të them që kanë kërkuar rinumërim, por për faktin që e kanë paraqitur këtë ankesë, ndoshta ashtu po i bjen por ata nuk kanë thanë as unë s’po e them, ata e kanë evidentuar këtë parregullsi në regjistrimin e votave të tyre, pra në vend të shënimit të votës së partisë së tyre, i kanë regjistru në subjektin tjetër politik”, ka thënë Desku për KALLXO.com.

Por ish-anëtari i KQZ-së nga LDK dhe kandidati për deputet i kësaj partie, Florian Dushi, tha për KALLXO.com se kanë kërkuar nga PZAP që të rinumërohen votat pasi, sipas tij, është bërë gabim në regjistrimin e rezultateve për shkak të shtypjes së gabuar të formularëve.

“Po është e vërtetë që kemi kërkuar rinumërim të votave nga PZAP-i. Arsyetimi është lëshimi që e ka bërë Komisioni Qendror I Zgjedhjeve në prodhimin e formularëve dhe prandaj është renditja e subjekteve politike, përshkrimi I votave në formularë është bërë gabimisht sepse një subjekt politik nuk ka pasur asgjë, rubrikë ku me ja shënu votat dhe kështu është zbritur radha dhe ju kanë shënu gabim dhe meqë të dhënat futen prej atyre formularëve në sistem dhe sistemi e prodhon rezultatin final, kjo nënkupton që mundet me qenë rezultat jo korrekt. Kemi kërkuar rinumërimin dhe me u përshkru sërish në formularët që duhen me u prodhu me numrat dhe subjektet politike ashtu sikur në zgjedhje”, tha Dushi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe partitë PDK-në dhe NISMA-n për të marrë sqarime rreth kësaj çështje dhe është duke pritur përgjigje.

Sipas mbi 98 për qind të votave të numëruara në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë  200.953, vota apo 25,51%. Lidhja Demokratike e Kosovës ka 195.534 vota, apo 24,82%, Partia Demokratike e Kosovës ka 167.402, apo 21.25%.

Koalicioni AAK-PSD ka marrë 90.839 vota apo 11,53%. Koalicioni Nisma-AKR-PD vazhdon të mbetet nën pragun e zgjedhor, pasi ka marrë 38.639 vota apo 4.90%.

Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.

Edhe numri i votave të pavlefshme vazhdon të shënojë rritje. Nga numërimi i 98,47% të votave të deritanishme, 40.290 fletëvotime janë shpallur të pavlefshme nga ana e KQZ-së.