Një kuti votimi | Foto: Atdhe Mulla

Kërkohet që të zgjatet afati për votim nga diaspora

Organizata joqeveritare “Germin” ka kërkuar që vota e diasporës të trajtohet me kujdes të shtuar dhe seriozitet maksimal. Njëkohësisht ka shprehur shqetësimet rreth ecurisë së procesit të votimit nga jashtë për Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare 2019, duke kërkuar më shumë kohë për votim nga diaspora.

Sipas “Germin”, numri prej 42.300 personave nga diaspora të interesuar për të votuar në Kosovë është padyshim zhvillim pozitiv, duke pasur parasysh që në zgjedhjet e fundit ka pasur numër dyfish më të vogël, prej 20.345 aplikimesh nga jashtë.

“Gjithsesi, numri i aplikimeve do të mund të ishte edhe më i madh, sepse siç e kemi cekur edhe më herët, afati kohor i aplikimit ishte i shkurtër, duke marrë parasysh mungesën e informacionit paraprak dhe kampanjave informuese për të gjitha detajet dhe procesin e aplikimit për votim nga jashtë prej anës institucionale”, thuhet në kërkesën e “Germin”.

“Germin” ka deklaruar se sot (18 shtator 2019) është dashur të fillojë procesi i votimit jashtë vendit, mirëpo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk e ka publikuar një listë finale të certifikuar për votuesit jashtë vendit, dhe në faqen zyrtare të KQZ-së mungon fletëvotimi i ngarkuar.

“Përveç numrit prej 42.300 aplikimeve për votim nga diaspora, ne akoma nuk kemi një njoftim zyrtar nga KQZ lidhur me numrin përfundimtarë të aplikimeve të aprovuara dhe atyre të refuzuara nga jashtë”, thuhet më tej nga “Germin”.

Më tej kanë shtuar se KQZ gjithashtu nuk ka publikuar numrin e aplikimeve për votim nga Serbia, për të cilat jo-zyrtarisht iu është thënë se nuk përfshihen në totalin e 42.300 aplikimeve.

Duke parë vonesa në proces deri më tani, “Germin” kërkon nga KQZ-ja që sa më parë të publikojë listën finale të aplikimeve të aprovuara për votim jashtë vendit, dhe t’u ofrojë informacionet e detajuara dhe afat të mjaftueshëm kohor bashkëatdhetarëve të cilëve i’u është refuzuar aplikimi për të bërë ankesat e tyre.

Nëse KQZ-ja vonohet në realizimin e pikave të mësipërme në bazë të planit operacional, “Germin” kërkon që të zgjatet afati për pranimin e fletëvotimeve me zarf, më saktësisht deri më 8 tetor. Me kusht që dërgesat e fletëvotimeve me zarf janë bërë para datës 6 tetor që sipas tyre kjo mund të verifikohet lehtë përmes vulës postare.

“Posaqërisht për faktin që ende nuk kemi një listë të publikuar të votuesve nga jashtë, ndërsa sot do të duhej të ishte dita e parë e votimit nga jashtë”, thuhet nga “Germin”.

“Germin” konsideron që është shumë e rëndësishme që rritja e interesimit të bashkatdhetarëve jashtë vendit për të marrë pjesë në zgjedhje, duhet të trajtohet me kujdes maksimal të merituar dhe t’i ofrohet informacioni adekuat secilit person që ka aplikuar në mënyrë që të ketë sa më shumë vota të vlefshme.

“Prandaj, është shumë e rëndësishme që kjo votë të trajohet në mënyrë adekuate në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të inkurajojmë edhe më shumë pjesëtarë të diasporës të votojnë në Kosovë”, përfundon kërkesa e “Germin”.