Kërkohet që gratë të jenë të përfaqësuara në negociatat ndërkombëtare të Kosovës

Me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë është mbajtur një tryezë diskutimi në Prishtinë, për publikimin raportit në lidhje me pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në negociatat ndërkombëtare të Kosovës, si dhe në vendimmarrje në përgjithësi.

Pjesë e diskutimit ishin ambasadori i BE-së në Kosovë Tomas Szunyog, zëvendëskryeministrja Emilia Redzepi, si dhe përfaqësues të Zyrës së BE në Kosovë.

Ambasadori Szunyog tha se politikat ligjore në Kosovë në lidhje me barazinë ligjore janë të përditësuara, në raport me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.

Por, ai tha se në Kosovë duhet të promovohet edhe më tutje pjesëmarrja e grave në institucionet e vendimmarrjes.

“Kosova po shkon me hapa të ngadaltë por të sigurtë në përfaqësimin e grave në proceset e vendimmarrjes. Ka gjithashtu edhe rritje të numrit të grave në Qeveri dhe në Kuvend, ku Kosova me krenari mund të thotë se ka pasur dy presidente”, tha Szunyog.

Por, ambasadori Szunyog tha se në zgjedhjet e fundit lokale ka pasur pak hapësirë që iu është dhënë grave, ku sipas tij, ka pasur pak gra që kanë qenë kandidate.

“Pjesëmarrja e grave në negociata ndërkombëtare është gjithashtu ka munguar, përfaqësimi i grave janë lënë pas dore, me përjashtimin e Edita Tahiri, ish udhëheqëse e dialogut në periudhën 2011-2016. Shumë pak gra kanë marrë pjesë në ekipet negociuese dhe për periudha të shkurta kohore”, tha ndër të tjera Szunyog.

Raporti, tregon pjesëmarrjen e grave në negociatat e Kosovës me Serbinë, qysh nga viti 2011, si dhe në përgjithësi për përfaqësimin e grave në Qeveri, Kuvend, Komuna dhe institucione tjera vendimmarrëse.

Autore e Raportit është Jovana Radosavlejevic nga Nisma e Re Sociale (NSI).