Kërkohet pushim pranveror për nxënësit, Kolegjiumi i DKA-ve pritet deri nesër të dalin me rekomandime

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci ka mbajtur një takim ku kanë marrë pjesë zyrtarë të MASh-it, përfaqësues të Kolegjiumit të DKA-ve, SBAShK-ut, Këshillit të Prindërve, IKShPK-së, drejtorë të shkollave dhe mësimdhënës.

Në këtë takim janë pajtuar të gjithë pjesëmarrësit për pushimin pranveror.

“Të gjithë pjesëmarrësit në takim u pajtuan se është i nevojshëm pushimi pranveror për shkak të ngarkesës së madhe të mësimdhënësve gjatë punës me grupe, dezinfektimit të shkollave, si dhe për të zbutur situatën aktuale pandemike në arsim dhe atë në përgjithësi”, thuhet në komunikatë të lëshuar nga MASh-i.

Sipas kësaj komunikate, ky takim është mbajtur për të shqyrtuar mundësinë e organizimit të mësimit gjatë ditëve në vijim.

“Takimi i sotëm është vazhdimësi e takimit të së premtes 26 mars 2021, për të shqyrtuar mundësitë e organizimit të mësimit gjatë ditëve në vijim, respektivisht mundësinë e pushimit pranveror, zëvendësimin e ditëve të humbura gjatë këtij viti shkollor dhe mësimin plotësues për nxënësit e nivelit fillor dhe atyre që kanë mbetur prapa në mësime”, thuhet në komunikatë.

Ministrja Nagavci në këtë takim është shprehur e brengosur për cilësinë e mësimnxënies ndërkaq, theksoi se primar mbetet shëndeti i personelit arsimor dhe i nxënësve.

Nagavci ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithëve, në mënyrë që të menaxhohet sa më mirë që të jetë e mundur situata dhe të arrihet cilësi në mësimnxënie për aq sa është e mundur.

Nagavci kërkoi nga Kolegjiumi i DKA-ve që të deri nesër të dalin me rekomandime rreth çështjeve që u diskutuan, në mënyrë që të merret një vendim i qartë dhe të gjithë akterët e përfshirë në arsim të informohen me kohë.