Seanca e Kuvendit më 4 qershor 2020, FOTO: Kuvendi i Kosovës

Kërkohet përmirësim i infrastrukturës në Kuvend për lëvizjen e personave me nevoja të veçanta

Deputetja e LDK-së Lirije Kajtazi, ka ngritur shqetësim lidhur me infrastrukturën në Kuvendin e Kosovës për lëvizjen e personave me nevoja të veçanta.

Kajtazi tha se janë të obliguar t’i largojnë barrierat që qasja e personave me nevoja të veçanta të jetë e pa penguar.

“Po bëhen 20 vite kur kolegu Fetah Rudi ka përsu nga një tentim atentat… Ai tani lufton përmes Kuvendit për një shtet ligjor të cilin e deshi. Ai është pjesë e Kuvendit dhe ne nuk ja kemi siguru qasjen në Kuvend”, tha ajo.

Kajtazi tha se po bëhet një vit që kur deputeti Rudi e ka marrë mandatin e ende nuk është siguruar qasja për të.

E kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, tha se në mbledhjen e parë të kryesisë vendimi i parë që është marrë është vendimi të krijohet qasje për personat me nevoja të veçanta në vecanti ata paraplegjik dhe tetraplegjik në të gjitha hapësirat e Kuvendit të kosovës.

“Për fat të keq procedurat e prokurimit zgjasin shumë e kemi ngrit zërin unë dhe anëtarët e tjetër të kryesisë. Kam kërku të bëhen pjerrina brenda sallës plenare dhe e kemi siguru edhe asistentin personal që paguhet prej Kuvendit të Kosovës që t’i ndihmojë deputetit Fetah Rudi edhe gjatë punës së tij brenda Kuvendit të Kosovës”, tha ajo.

Osmani tha se tani ka kërkuar edhe një përgjigjje të re.

“Më është thënë që brenda përafërsisht 3 javësh do të vendoset edhe lifti në shkallë edhe qssja në pjesët e tjera”, shtoi Osmani.