Gjykimi ndaj Col Imerajt, i akuzuar për vrasje FOTO- Tringa Rruka/KALLXO.com

Kërkohet përjashtimi i Gjykatës së Gjakovës në rastin e vrasjes në Bardhaniq

Gjykata e Gjakovës e ka pranuar sot pranimin e fajësisë nga Col Imeraj,  i akuzuar për vrasje të rëndë, vrasje në tetativë dhe lëndim të lehtë trupor e ka pranuar fajësinë për këto vepra.

Imeraj nga fshati Geghysen në Tropojë të Shqipërisë pranoi fajësinë në rastin ku akuzohet se vrau burrin e kushërirës së tij dhe plagosi kushërirën dhe djalin e saj, deri sa po qëndronte mysafir në shtëpinë e tyre në Gjakovë.

Pranimin e tij të fajësisë e pranoi edhe gjykata, në këtë rast gjykatësi Drilon Haraçia.

Për këtë veprim pati reagima avokati i të akuzuarit Meshari Selimaj, i cili kërkoi që në këtë rast, të përjashtohet gjykatësi e më pas edhe gjykata.

“Duke u bazuar në dyshimet që ka familja e palës së akuzuar në lidhje me objektivitetin e gjykatës dhe se pranimi nga ana e të akuzuarit u bë pa pranimin e mbrojtësit e duke pasur parasysh që një vepër e tillë kërkon mbrojtje, sepse nuk kemi të bëjmë me vrasje të rëndë në mënyrë mizore e as vrasje në tentativë dhe se kësaj vepre nuk i dihet motivi i kryerjes, pra në këtë mënyrë i akuzuari nuk e ka mundësi e një zhvillimi të gjykimi të drejtë”, tha ai.

Ai parashtroi kërkesë për përjashtim të Gjykatës pasi sipas tij dyshimi rrjedh nga që familja e viktimës është nga Gjakova e i akuzuari nga Bajram Curri dhe për këtë familja e të akuzuarit ka dilema në objektivitetin e kësaj gjykate

Pas kësaj, gjykatësi Drilon Haraçia ndërpreu procedurën në këtë çështje, pasi që u kërkua përjashtimi i gjykatës dhe për të njëjtën çështje do të vendos kryetari i kësaj gjykate.

KALLXO.com ka raportuar se gjatë ditës së sotme, Col Imeraj ka pranuar akuzat e Prokurorisë së Gjakovës, edhe pse mbrojtësi i tij Meshari Selimaj ka kundërshtuar një pranim të tillë.

Aktakuza ndaj tij u ngrit më 31 mars 2021.

Pretendohet se këto veprime, Imeraj i ka kryer ndaj kushërirës së tij, burrit dhe djalit të saj.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Ali Uka, në muajin korrik të vitit 2020, në fshatin Bardhaniq të komunës së Gjakovës, Col Imeraj me dashje ka privuar nga jeta Ndue Mulaj, në shtëpinë e tij.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, thuhet se përderisa i ndjeri Ndue Mulaj 60 vjeçar ishte në dhomën e tij të gjumit, Imeraj me një thikë e çekan hekuri, hap derën e dhomës dhe  e godet disa herë me thikë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, për të cilat veprime i vihet në barrë akuza e vrasjes së rëndë.

Në akuzë thuhet se në dhomën e gjumit kishte qenë edhe bashkëshortja e të ndjerit Diturie Mulaj, e që ishte kushërira e tani të akuzuarit Col Imeraj, ku i njëjti kushërirën e tij e kishte goditur me thikë në krahun e majtë dhe në dorën e djathtë, me çka akuzohet për lëndim të lehtë trupor.

Aktakuza thotë se përveç kësaj, i njëjti shkon edhe në dhomën tjetër, ku prezent ka qenë djali i viktimës Mark Mulaj, duke e goditur disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, e duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, për të cilat veprime ngarkohet me veprën e vrasjes në tentativë.

Ky i fundit kishte qenë në dhomë me vëllaun e tij të mitur D.M.

Në deklaratën e dhënë në Prokurori, Col Imeraj kishte pretenduar se Ndue Mulaj i kishte dhënë ekstazi (drogë), në një gotë me ujë dhe se të njëjtën e kishte detyruar që ta pijë.

Ai kishte mohuar se kishte ndonjë konflikt më familjen Mulaj, por i njëjti pasi që Diturie Mulajn e kishte qikë të dajës së babait të tij, ai kishte qëndruar 2-3ditë tek shtëpia e saj në mënyrë që të kontrollohej tek mjeku i veshkave.

Gjatë deklaratës së tij të dhënë në Prokurori, ai kishte thënë që gjatë ditës i kishte ndihmuar Ndue Mulaj në bartjen e sonës (barit të kafshëve).

Imeraj kishte thënë që pas pirjes së gotës më ujë e kishte humbur kontrollin, e pas asaj i njëjti kishte thënë që kishte pirë lëng hashashi, duke mos e ditur se i kujt ka qenë.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast.

Del para gjyqit i akuzuari për vrasjen në Bardhaniq të Gjakovës