Prokuroria Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com
Kërkohet paraburgimi i babait që dyshohet se ngacmoi seksualisht vajzën e tij
Një vajzë e mitur nga Podujeva dyshohet se është ngacmuar seksualisht nga babai i saj gjatë ditës së djeshme.
Ndaj këtij të fundit, sipas zëdhënëses së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj është kërkuar që të caktohet masa e paraburgimit në gjykatën kompetente.
“Gjatë ditës së sotme është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit në gjykatën kompetente” – ka thënë Ulaj.
I dyshuari, sipas Ulajt dyshohet se ka kryer veprat penale “Ngacmimi seksual” dhe “Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës”.
Ulaj tutje tha se meqenëse ky rast është duke e trajtuar në Departamentin për të Mitur, nuk mund të japin detaje të tjera.
Rasti është raportuar edhe në Policinë e Kosovës, ku është thënë se është arrestuar një person i dyshuar, i cili po ashtu dyshohet se edhe e ka sulmuar fizikisht viktimën.
Babai nga Podujeva dyshohet se ngacmoi seksualisht vajzën e tij të mitur