Kërkohet paraburgim për zyrtarin policor të dyshuar për sulm seksual

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan, ndaj zyrtarit policor R. Sh., nën dyshimet për sulm seksual.

“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se që nga muaji nëntor 2020 deri më 20 prill 2021, i pandehuri R.Sh., ka ushtruar sulm seksual ndaj viktimës së mitur nën moshën 16 vjeç. I pandehuri me vendim të prokurorit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com ka raportuar dje se zyrtari policor me inicialet R. Sh., është arrestuar  nga Inspektorati Policor i Kosovës me vendim të Prokurorisë së Gjilanit.

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ditë më herët kishte pranuar një informacion sipas të cilit dyshohej se një zyrtar policor (i Njësisë Rajonale të komunikacionit rrugor në Gjilan) kishte kryer veprën penale “sulm seksual”.

Sipas IPK-së, si rezultat i veprimeve hetimore janë siguruar dëshmi në bazë të të cilave dyshohet se zyrtari policor ka kryer veprën penale – sulm seksual ndaj një të miture.

Suspendohet nga puna polici i dyshuar për sulm seksual