Kërkohet paraburgim për të dyshuarit për vrasjen e mbrëmshme në Mitrovicë

Prokuroria e Mitrovicës ka kërkuar nga Gjykata të caktojë masën e paraburgimit për dy të ndaluarit me iniciale G.R., dhe M.H., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale – grabitja dhe armëmbajtje pa leje.

Të ndaluarit dyshohet se janë autorë të grabitjes së një dyqani ushqimor në rrugën “Mbretëresha Teutë“ në Mitrovicë gjatë të cilës është vrarë pronari i dyqanit A.M.

Të dyshuarit janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit gjenden në ndalim 48-orësh, ndërsa trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Seanca për caktimin e paraburgimit për të ndaluarit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës së Mitrovicës.