Kërkohet paraburgim për të dyshuarën që mashtroi qytetarët për viza pune
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës, e cila dyshohet se ka mashtruar disa persona për sigurimin e termineve për viza pune në Gjermani.
Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar nga zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës, e cila ka mashtruar të dëmtuar, kinse për t’iu siguruar termin për viza pune jashtë vendit në gjykatën kompetente” – tha Ulaj.
Policia e Kosovës më 30.07.2024, ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e gruas në Prishtinë.
Në një komunikatë për media, Policia ka thënë se e arrestuara dyshohet se mori nga së paku nëntë persona shuma të ndryshme parash, duke ju premtuar termine për viza pune.
Sipas kësaj komunikate, e dyshuara A. B., 35-vjeçare me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Policia tha se lidhur me këtë rast policia ka sekuestruar disa pasaporta, dy telefona, shtëpizë kompjuteri, një shumë të parave e të tjera.
Tutje u tha se mbështetur në rezultate e para të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se mashtrimi mund të ketë ndodhur në vazhdimësi për një periudhë të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga personat e dyshuar mund të jetë më i madh se sa numri i raportuar.
Policia kërkoi nga qytetarët që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, për të ndihmuar policinë drejt hetimit përfundimtar.
Detaje nga arrestimin i të dyshuarës për mashtrim me viza pune të Gjermanisë