Kërkohet paraburgim për policin që dyshohet se rrahu 21 vjeçarin që rrezikoi të paralizohej

Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar paraburgim për policin me inicialet R. A për shkak të dyshimit se i njëjti ka rrahur një 21 vjeçar, ku ky i fundit është dashur më pas të futet në operacion pasi që i njëjti rrezikohej të paralizohej.

KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin e policit, Muhamet Mujaj i cili konfirmoi se është kërkuar paraburgimi ndërsa po pritet vendimi për masën e sigurisë.

Prokuroria ka kërkuar sipas avokatit paraburgimin për 30 ditë.

“Po është kërkuar nga ana e prokurorisë paraburgimi për të mbrojturin tim. Po presim besoj që caktohet paraburgimi për shkak të veprës”, tha avokati i policit, Muhamet Mujaj.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme ka raportuar se një polic është arrestuar për shkak se i njëjti kishte rrahur një 21 vjeçar më 5 prill ndërsa një ditë më vonë 21 vjeçari është dërguar në gjendje të rëndë në QKUK ku më pas edhe është operuar për shkak të rrezikut se mund të paralizohej.

21 vjeçari tri netë më parë është shpëtuar nga doktorët e Klinikës së Neurologjisë për shkak se i njëjti rrezikonte të humbiste aftësinë e të folurit dhe lëvizshmërinë e dorës dhe këmbës së djathtë.

KALLXO.com kishte mësuar se pasojat e paralizimit erdhën pas një rrahje që kishte pësuar 21 vjeçari ditë më parë nga një zyrtar policor i cili po bënte roje në Lagjen Velania më saktësisht te varri i ish- Presidentit Ibrahim Rugova.

Për rastin për KALLXO.com kanë folur edhe IPK-ja të cilët kanë thënë se janë duke e trajtuar rastin.

Skandal në Prishtinë: 21 vjeçari që rrezikoi paralizimin dyshohet se u sulmua nga një polic