Foto-ilustrim

Kërkohet paraburgim për për të dyshuarin që lajmëroi rrejshëm policin dhe drejtorin e policisë

Një person po dyshohet se ka lajmëruar rrejshëm zyrtarin policor se kinse i njëjti ka bërë intoksikimin e tij duke hedhur substancë narkotike në shishen e tij të ujit.

Paraburgimi është kërkuar në drejtim të veprës penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikatë të prokurorisë së Gjakovës.

“I pandehuri Y. Xh., para prokurorit të shtetit, ka bërë denoncimin se kinse zyrtari policor ka bërë intoksikimin e tij duke hedhur substancë narkotike në shishen e tij të ujit”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se pas ekzaminimit është konstatuar se në trupin e ankuesit – të pandehurit, nuk ka substancë tjetër përveç medikamenteve të grupit benzodiazepine, të cilat i pandehuri i ka pranuar se i ka përdorur.

Po ashtu, në njoftim thuhet se i pandehuri Y.Xh ka bërë deklarim të rremë se Drejtori i Policisë Rajonale në Gjakovë, ka kryer disa vepra penale të cilat ndiqen sipas detyrës zyrtare, edhe pse i pandehuri e ka ditur se i denoncuari nuk i ka kryer këto vepra.

“Ka bërë denoncimin se kinse Drejtori L.G., në mënyrë tinëzarë kishte vendosur video-incizime në banesën e tij duke përgjuar në mënyrë ilegale, ndërsa pas marrjes së veprimeve hetimore nga ana e prokurorit të shtetit gjegjësisht, Inspektoratit Policor të Kosovës, dhe  sipas raportit përfundimtar të hetimeve  është konstatuar se pretendimet e të pandehurit Y. Xh., nuk mund të qëndrojnë, nuk janë të bazuara, nuk mund të dëshmohen me ndonjë provë dhe nuk mund t’i trajtojmë si të besueshme”, përfundon njoftimi.

I pandehuri, me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 16 qershor 2022.