Gani Berisha, Shef i departamentit të ujërave në kuadër të Ministrisë së Ambientit

Kërkohet paraburgim për ish-drejtorin e departamentit të pellgjeve ujore në MMPH, Gani Berisha

Nga 30 ditë paraburgim ka kërkuar Prokuroria Themelore e Ferizajt për të arrestuarit e ditës së djeshme në rastin e njohur si ‘Brezovica’.

Të arrestuarit e fundit të rastit ‘Brezovica’ janë: Berat Lahu, Shukri Shabani, Gani Berisha, Sami Sinani, Labinot Vitia, Gëzim Sinani dhe Salih Sinani.

Në kopjen e kërkesës që e ka siguruar KALLXO.com përshkruhet veprimet e të pandehurve dhe dyshimet që rëndojnë mbi ta.

I dyshuari Gani Berisha, si person zyrtar dhe atë drejtor i departamentit të pellgjeve ujore në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dyshohet për veprën penale në bashkëkryerje “Marrja e ryshfetit”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2019 në Prishtinë si persona zyrtarë dhe atë i pandehuri Gani Berisha  – drejtor i departamentit të pellgjeve ujore në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kurse i pandehuri Arben Çitaku – sekretar i përgjithshëm i kësaj ministre, në mënyre te drejtpërdrejtë kanë marrë para me qëllim që të veprojnë në kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që përmes një zyrtari të kësaj ministrie i pandehuri Gani ka marrë 10.000 (dhjetë mijë) euro, prej të cilave 7.000 (shtatë mijë) euro për të pandehurin Arben Çitaku, për të mundësuar marrjen e pëlqimit ujor për ndërtimin e një ure mbi lumin “Murzhica”, i cili do të shërbente për objektet e ndërmarrjes “Stella Consulting” dhe objektin hotelier “Rimida”, e të cilin pëlqim e kishte përgatitur i pandehuri Gani Berisha dhe ia kishte dorëzuar për nënshkrim të pandehurit Arben Çitaku,  i cili pëlqim ishte lëshuar në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës” – thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Gjatë ditës së sotme gjykata e Ferizajt pritet të caktoi seancën për caktimin apo jo të kësaj mase që e ka kërkuar prokuroria e Ferizajt.

Dosja – Veprimet inkriminuese të të arrestuarve të radhës në rastin ‘Brezovica’

Dosja e Prokurorisë që rëndon ndaj asamblistit të LVV-së në rastin ‘Brezovica’