
Foto-ilustrim
Kërkohet paraburgim për dy të dyshuarit për vrasjen e 41-vjeçarit në Fushë-Kosovë
Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për rastin e vrasjes së 41-vjeçarit, i cili u ther për vdekje mbrëmë në Fushë-Kosovë.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.
“Është paraqitur kërkesa për caktimin e masës se paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për veprën penale “Vrasja””- ka thënë ajo.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00.
Lidhur me rastin, në orët e para të ditës së sotme Policia e Kosovës ka arritur të arrestojë dy persona të dyshuar të moshës 26-vjeçare, me inicialet A.M. dhe L.B.
KALLXO.com ka kontaktuar me Shefqet Hasimin, avokatin mbrojtës të njërit nga të dyshuarit.
Sipas avokatit Hasimi vrasja ka ndodhur për motive të ulëta.
Siç e përshkroi ngjarjen avokati Hasimi, ngjarja kishte ndodhur pas një mosmarrëveshjeje për makinën e të mbrojturit të tij, L.B., i cili sipas avokatit ka kontaktuar A.M. dhe janë rrahur me tani të ndjerin.
“Në stacionin policor, i mbrojturi im ka deklaruar se ai ka qenë pjesëmarrës, ai nuk e ka përdorur thikën, pasi që ky e ka thirrë i ka thënë: “Hajde se kam problem”. E kanë pritë, ishin përleshur me boksa, pra duar, sipas tij ai tjetri e ka therë” – tha avokati Hasimi për KALLXO.com.